Ramush Haradinaj ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ditën e pavarësisë, duke thënë se Kosova u është përjetësisht mirënjohës qeverisë dhe popullit amerikan, për ndihmën në realizimin e aspiratave historike për liri dhe pavarësi.
Kryeministri i vendit ka shkruar në Facebook se Kosova është e përcaktuar për aleancë dhe miqësi të përhershme me ShBA-në.
“Me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë, u përcjellë urimet më të përzemërta Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë, amerikanëve me mision në Kosovë dhe të gjithë paqeruajtësve në radhë të KFOR-it.
“Populli i Kosovës u është përjetësisht mirënjohës qeverisë dhe popullit të SHBA-ve, për ndihmën e pazëvendësueshme në realizimin e aspiratës historike për liri dhe pavarësi.
“Kosova me krenari është përcaktuar për aleancë dhe miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Besnikë të idealeve të lirisë dhe paqes, të cilave iu prin Amerika në botë, sot festojmë edhe ne, krah për krah me miqtë tanë!”, shkruan Haradinaj.