Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se sot do të vërtetohet se ky është një version i gabuar i kufirit që po prezantohet nga Komisioni Shtetëror.
“Kosova do ta vërtetojë se ky është version i gabuar i kufirit. Do t’i dëgjojmë ekspertet e tjerë, por ne e kemi thënë mendimin tonë. Murat Meha nuk më ka bindur pasi ai ka prezantuar hartat kadastrale të komunave dhe jo ato shtetërore. Në fund të ditës Kosova dhe qytetarët do të binden se ky version është gabim”, është shprehur Haradinaj.
Ai ka shtuar se pret që ky versioni i Komisionit Shtetëror të rrëzohet sot dhe të fillojnë bisedimet e reja me Malin e Zi.
“Ne po presim që do ta rrëzojë këtë version dhe do të fillojnë bisedimet me Malin e Zi për mundësinë e korrigjimit për këtë pjesë të kontestuar. Në rast të marrëveshjes me Malin e Zi atëherë nuk ka nevojë për arbitrazh, por nëse jo atëherë ka nevojë për arbitrazh. Ne kemi bllokuar këtë version të gabuar, prandaj po ndodh ky debat”, është shprehur Haradinaj.
Haradinaj me këtë rast i ka vlerësuar deklaratat e Presidentit dhe Kryeministrit si të pa nevojshme në këtë tryezë, pasi sipas tij qëndrimet e tyre janë të njohura.