Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, bashkë me personalitete të larta vendore e ndërkombëtare mori pjesë në aktivitetin “Ecja për Liri”.
Fillimisht, kryeministri Haradinaj dhe personalitetet e larta vendore e ndërkombëtare bën nderime para monumentit të KFOR-it, për të vazhduar pastaj me vizitën e Foto ekspozitës së lirisë.
Kryeministri Haradinaj, në kuadër të aktivitetit “Ecja për Liri”, mori pjesë edhe në përurimin e bustit të Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright.
Gjithashtu, kryeministri Haradinaj, mori pjesë edhe në zbulimin e pllakës me emrin “Bulevardi Bill Klinton”, e cila u bë afër shtatores së presidentit Klinton në Prishtinë.
Kryeministri Haradinaj ka falënderuar qytetarët e Kosovës që sot festuan me dinjitet dhe qytetari të lartë, shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë.
“Populli i Kosovës, qytetarët tanë, institucionet tona, të ndërtuara në shtetin e lirë të Kosovës, sot iu bashkuan me dinjitet dhe festuan me qytetari të lartë, shënimin e 20 vjetorit të NATO-s, ashtu siç e meriton, një vend i lirë, demokratik dhe i rreshtuar përkrah aleatëve tanë. Faleminderit qytetarë të dashur. Faleminderit Kosovë!”, ka thënë kryeministri Haradinaj.