Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, zhvilloi sot një takim lamtumirës me Ambasadorin e deritanishëm të Malit të Zi, Ferhat Dinosha, i cili po e përfundon misionin e tij diplomatik në Kosovë.
Tema kryesore e bisedës ishte vazhdimi i bashkëpunimit të ngushtë midis dy vendeve tona, ku Ministrja Haradinaj-Stublla theksoi se mbarëvajtja e drejtimit Euro-Atlantik të Kosovës dhe Malit të Zi është vendimtare për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan.
Shefja e diplomacisë kosovare dhe Ambasadori Dinosha diskutuan për situatën aktuale politike e të sigurisë në vend dhe rajon, si dhe për raportet bilaterale midis Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.
Duke folur për këto raporte, Ministrja Haradinaj-Stublla tha se është e rëndësishme ruajtja e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të mirë midis dy vendeve përmes vazhdimit të projekteve të përbashkëta ndër-kufitare dhe infrastrukturore, siç është rruga Deçan-Plavë të cilat do t’i japin hov zhvillimit ekonomik lokal dhe lidhjeve ndërkombëtare të rajonit.
Në këtë takim ndërkaq, u vlerësua se marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Malit të Zi mbesin të mira, dhe u potencua roli i komuniteteve respektive në fuqizimin e tyre.
Shefja e diplomacisë kosovare dhe ambasadori Dinosha diskutuan edhe për ri-funksionalizimin e Qendrës Zhvillimore të Malit të Zi në Prishtinë, për të cilën u tha se duhet të jetë në shërbim të të gjitha shoqatave të përfaqësimit të Malit të Zi në Kosovë, në të mirë të bashkëpunimit të ndërsjellë.
Duke folur për situatën në rajon, Kryediplomatja e Kosovës tha se është mirë që Serbia të dëgjojë thirrjet e përsëritura të Uashingtonit për njohje reciproke, për t’i dhënë paqen e qëndrueshme rajonit dhe për të nisur një kapitull të ri të fqinjësisë së mirë, përfshirë këtu edhe me Malin e Zi dhe Bosnjën.
Ministrja Haradinaj-Stublla shprehu falënderim të veçantë për Ambasadorin Dinosha për gjithë punën dhe angazhimin e tij në mirëmbajtjen e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.