Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj Stublla po zhvillon një vizitë zyrtare në Shtetete Bashkuara të Amerikës.
Ajo në Washington ka takuar zëvendëspresidentin e “Heritage Foundation”, James Carafano.
“Heritage Foundation” është një prej institucioneve më prestigjioze për politikat demokratike e shtetërore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Haradinaj-Stublla tha se biseduan për dialogun Kosovë-Serbi, e cila duhet të përmbyllet me njohje reciproke.
“Biseduam për zhvillimet politike në rajon, veçanërisht për dinamikat rreth dialogut Kosovë-Serbi, duke theksuar domosdoshmërinë që ky proces të përmbyllet me njohje reciproke në kufijtë ekzistues”.
Kryediplomatja e Kosovës në veçanti falënderoi këtë fondacion për qëndrimin që ka mbajtur ndaj pavarësisë së Kosovës dhe proceseve në vijim në forcim të subjektivitetit ndërkombëtar, ministrja Haradinaj Stublla kujtoi edhe mbështetjen e dhënë për formimin e Ushtrisë së Kosovës.
“Shpreha falënderimin për përkrahjen e vazhdueshme që Heritage Foundation ka dhënë në avancimin e prioriteteve politike të Kosovës dhe posaçërisht në mbështetjen e dhënë në transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri”.