Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla në një intervistë për “Vizion Plus” ka reaguar ashpër pas deklaratave të ministrit të Mbrojtjes së Serbisë Aleksander Vulin, duke i cilësuar ato si të papranueshme.
Ajo ka kërkuar që faktori ndërkombëtar të mos heshtë.
“Kemi një deklaratë zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes se Serbisë ku i quan me gjuhë raciste, diskriminues, fyese shqiptarët duke iu referuar fondit ndërshtetëror që kemi krijuar mes dy qeverive. Prandaj për këtë do të duhet të ngrihet zëri ndërkombëtarisht dhe faktori ndërkombëtar të reagojë,” tha ajo.
Haradinaj-Stublla ka folur edhe situatës së krijuar së fundi në Kosovë, pas arrestimeve të para nga Gjykata Speciale.
“Kjo gjykatë dhe kjo asimetri mundohet të krijojë barazi mes agresorit dhe viktimës dhe kjo s’do pranohet nga ne asnjëherë dhe nuk është se kjo nuk na bren si popull, i cili ka kaluar përvuajtje të shumta dhe nëpër krimet gjenocidale të Serbisë dhe duke e ditur që Serbia ende nuk ka kërkuar falje për ato krime,” u shpreh ajo.