Ish-ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla ka thënë se është për keqardhje se me sa lehtësi MPJD ka aprovuar lejen për hyrje në Kosovë të të ashtuquajturit Drejtor i Zyrës për Kosovë në qeverinë e Serbisë Petar Petkoviq.
Kjo sipas saj kur dihen tashmë shkeljet e njëpasnjëshme të Serbisë bërë në vazhdimësi kundër Kosovës, e sidomos muajve të fundit pa dhënë asnjë përgjegjësi.
Mbajtja në arrest ilegal të dy qytetarëve tanë të arrestuar në kufi; Kontrabandimi kriminal i vaksinave të dyshimta në territorin e Kosovës; Mohimi e mbrojtja me krenari e krimeve gjenocidale gjatë luftës në Kosovë; Përdorimi i gjuhës shqiptarofobe e fashiste ndaj shqiptarëve; Mirëmbajtja e strukturave paralele në disa pjesë të Kosovës; Shkelja e secilës marrëveshje të nënshkruar me Kosovën; Presioni e shantazhi mbi serbët e mire-integruar në Kosovë; Interferimi dhe shantazhi në institucionet e RKS nga veglat e Vuçiqit; Kampanja e tmerrshme për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginë; Deklaratat e vazhdueshme politike kundër shtetësisë së Republikës së Kosovës”, ka përmendur Haradinaj.
Ajo në Facebook ka shkruar se edhe 22 vjet pas lufte, “nuk po mbushemi mend që të respektojmë veten dhe dinjitetin tonë, pa lejuar nëpërkëmbjen nga të tjerët”.
Pas dorëheqjes së saj, pozitën e ministrit në detyrë të MPJD-së e ka marrë Besnik Tahiri.