Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj–Stublla, në emër të Republikës së Kosovës dhe popullit të saj, ka uruar popullin dhe institucionet e Mbretërisë së Tajlandës, me rastin e Ditës Kombëtare.
Shefja e diplomacisë kosovare ka shprehur urimet e përzemërta për këtë shtet, i cili e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës më 24 shtator të vitit 2013, dhe po në të njëjtin vit, më 22 nëntor, të dyja vendet vendosen marrëdhëniet diplomatike.
Me këtë rast, Ministrja Haradinaj-Stublla ka kujtuar edhe trashëgiminë e Madhërisë së Tij, Mbretit të ndjerë Bhumibol Adulyadej, i cili me mençurinë dhe vizionin e tij udhëhoqi zhvillimin dhe prosperitetin e popullit të Tajlandës – një aleat i fortë i yni.
“Marrëdhëniet midis Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Tajlandës – edhe pse gjeografikisht janë të largëta – bazohen në parimet e pandryshueshme të besimit dhe mirëkuptimit, dhe unë besoj fort se lidhja e ngushtë dhe miqësia që ndajmë së bashku, do të vazhdojnë të forcohen dhe zhvillohen në të mirë të të dyja vendeve tona në vitet në vazhdim”.
“Në këtë kohë sfiduese që bota po përballet në një luftë kundër pandemisë COVID-19, përfitoj nga rasti të përcjell urimet më të mira për mirëqenien Tuaj personale, si dhe paqen, shëndetin dhe prosperitetin e vazhdueshëm për popullin mik të Mbretërisë të Tajlandës”, thuhet në urimin që Ministrja Haradinaj-Stublla i ka dërguar homologut të saj Don Pramudwinai, Zëvendës Kryeministër dhe njëherësh Ministër i Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Tajlandës.