Haradinaj – studentëve: Me Serbinë nuk flasim për territore, dialogojmë vetëm për njohje

Prishtinë | 15 Nën 2018 | 12:40 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur rreth cilësisë në arsim, liberalizimit të vizave, anëtarësimit ne Interpol dhe formimit të Ushtrisë së Kosovës.

Haradinaj tha se që nga fillimi i qeverisjes së tij ka kërkuar nga të gjithë që  t’i tregojnë për të gjitha ndryshimet që kanë bërë,  gjithë personat që nga marrja e pozitave të tyre .

“Qeveria që udhëhiqet nga unë nuk është perfekt dhe pa gabime, nuk është Qeveri që mashtron njerëz ajo që po bëjmë është transparente dhe Qeveri që nuk i është frikësuar temave me ec përpara. Interpoli tek ne përjetohet me emocione politike por 3 ditë më vonë nuk ka politikë por është vetëm mundësi me humb krimi”, ka thënë Haradinaj, para studentëve të Fakultetit Filozofik, raporton Ekonomia Online.

“Qeverisja është e sfiduar shumë, Qeveria që udhëheq unë është një qeveri e koalicionit.  Aleanca ka kontributet e veta politike, por është qeveri ku është PDK, NISMA, partitë e komuniteteve dhe si e tillë është një qeveri e sfiduar edhe nga përbërja por veçanërisht ajo që e ka sfiduar janë temat në tavolinë”, tha Haradinaj.

I pari i ekzekutivit, tha se Kosova ka përmbushur kriteret e BE-së për liberalizim të vizave dhe se Kosova nuk është tërhequr nga kjo temë.

“Liberalizimi i vizave, është herët me u deklaruar për detaje por jemi dinamik, nuk jemi tërheq nga kjo temë”, shtoi ai.

Haradinaj tha se rritja e buxhetit për arsim prej 12% nuk është e mjaftueshme.

“Arsimit nuk kemi mundur me iu përkushtuar mjaftueshëm, arsyet janë sepse në tavolinë kam gjetur tema mbi 1 dekadë”, tha ai.

Sipas tij, Kosova ka nevojë për dialog sepse është në interes të vendit të ndodh njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, raporton EO.

“Ne kemi nevojë për dialog dhe jam për dialog me Serbinë sepse heqja e temave nga tavolina bëhet në disa forma nëse je i zoti me e bërë ligjin vet nëse nuk je i zoti negocion në mes, ne sa jemi të zot e kemi vërtetu në 99-tën , tani është koha me e i zgjidh çështjet e hapura në dialog, çështja e mbetur e hapur nuk është aspekti territorial por njohja reciproke”, tha Haradinaj.

“Problemi mes Kosovës dhe Serbisë, kemi interes nga njohja e Serbisë dhe për këtë duhet negociuar me Serbinë por me paprekshmëri të asaj qe kemi krijuar, nëse prekim është në rrezik dhe mund të na nxjerr në situatë të pavolitshme si vend”, tha ai.

Bujar Dugolli, dekan në Fakultetin Filozofik,  kërkoi nga Haradinaj që qeveria që ai udhëheq të ketë prioritet arsimin e lartë.

“UP është universiteti më kredibil në hapësirën shqiptarë dhe duhet mbështetet edhe stafi akademik edhe studentët dhe të korrim suksese të mëdha”, tha Dugolli.

Ai tha se kryerja e praktikës nga ana e studentëve nëpër institucionet publike do t’i ndihmonte shumë fakultetit filozofik.

Gjatë këtij takimi, studentët e Fakultetit Filozofik patën diskutim me Haradinajn ku shumë prej studentëve patën pyetje për të.

Haradinaj tha se studentëve të Preshevës, që studiojnë në Kosovë, do të mundohet çdo herë të iu ofroj mundësi dhe kushte të studimit.

“Gjithë të rinjve nga Preshevë nuk duhet mbetet pa mundësi me studiu . Kosova e ka për detyrë studentëve nga Presheva të iu krijojë kushtet për të studiuar, ne kemi dhënë jetë me qenë bashkë por nuk kemi mbërri dhe kemi qenë të pa zot me e pas Preshevën pjesë te atdheut,  nuk është mungesë dëshirë por kapaciteti”, ka thënë Haradinaj.

Ai tha se beson se njohja e diplomave në Serbi do të ndodh.

“Jemi fajtor, duhet të punojmë me ndodh liberalizimi,  ka qenë proces i mundimshëm jo i lehtë, e kemi bazuar në listën e kushteve që do ndodh liberalizimi dhe kushtet që na ka dhënë BE-ja ne i kemi kryer, këto 10 ditë kanë ndodh disa punë për forcimin e rendit dhe ligjit që kanë peshë”, shtoi më tej ai.

Haradinaj tha për anëtarësimin në UNESCO që është interes i Kosovës, të jetë pjesë po duhet ruajtur marrëdhëniet me bashkësi fetare.

“Taksa 10% për Serbinë mundet me u rrit me kalu në masa drastike, nuk është provokim por prej zori nëse do të ishte zbatuar marrëveshja e energjisë, pse edhe ne të mos ta shqyrtojmë 10%”, tha Haradinaj.

Këto deklarata kryeministri Haradinaj i bëri në ligjëratën me studentët e Fakultetit Filozofik.

 

Të ngjashme