Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), ka organizuar konferencën me temën “Për bujqësi të qëndrueshme, pylltari dhe zhvillim rural në Kosovë”.
Me këtë rast kryeministri Ramush Haradinaj, tha se bujqësia është themel i jetës, ngase në pamundësi të zhvillimit të industrive të tjera, në këtë trevë bujqësia meriton kujdes e vëmendje të madhe.
Sipas kreut të ekzekutivit këtë vëmendje bujqësia e ka marrë nga Qeveria me rritje të buxhetit, por edhe me ndihmën e partnerëve, raporton Ekonomia Online.
“Vitin që vjen do t’i kushtojmë vëmendje në zhvillim të qëndrueshëm. Strategjia për zhvillimin e bujqësisë duhet të jetë e zbutshme, kjo kërkon angazhimin e të gjithë neve”.
Por i pari i qeverisë u shpreh skeptik sa i përket hapjes së vendeve të reja të punës. Sipas Haradinajt, Kosova do ta ketë vështirë të hap vende të punës.
“…Kosova do ta ketë vështirë të hap vende të punës, vendet e punës vijnë si kërkesa nga tregu, andaj të konsumohen prodhimet vendore, ngaqë kjo shpie te stimulimi i prodhuesve vendorë dhe kështu edhe deri te hapja e vendeve të punës”.
Ai garantoi se subvencionet në bujqësi do të mbërrin te ata që i meritojnë dhe ju takojnë dhe se nuk do të lejohet që në ndodhin keqpërdorime dhe anshmëri partiake.
“…ka diskutime që kanë ndodhur keqpërdorime, me anshmëri praktike ose lidhej të tjera e janë dëmtuar fermerët që kanë merituar përkrahje”.
Madje pati edhe paralajmërime për drejtuesit e agjencisë që merret me shpërndarjen e granteve, duke kërkuar reflektim në të kundërtën do të detyrohet të marrë masa.
“Agjencioni për granate e subvencione, drejtuesit të kenë parasysh ndarjen e mjeteve ndryshe duhet të reflektojnë të gjitha nivelet. Merreni seriozisht ata që janë të ndërlidhur në këtë proces”.
Haradinaj premtoi subvencione edhe në pjesën veriore të vendit, raporton EO.
“Në këtë shpërndarje duhet të kemi kujdes për të gjitha zonat edhe ku jetojnë komunitetet edhe në veri qeveria duhet të mbërrij me grante”.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikallo, ka prezantuar arritjet e deritashme në zhvillimin e bujqësisë dhe ka prezantuar prioritetet në të ardhmen, në të cilat do të fokusohet Ministria.
Të pranishëm në këtë konferencë ishin edhe përfaqësues të BE-së dhe USAID-it, të cilët njëkohësisht janë edhe donatorët kryesor në sektorin e bujqësisë.