“Versioni i tashëm i Marrëveshjes për Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, është i gabuar, mirëpo do të korrigjohet ky version.
Do ta negociojmë me Malin e Zi dhe besoj se do të arrijmë deri te një zgjidhje”, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër, i nominuar nga koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën.
Radio Evropa e Lirë: Z. Haradinaj, cilat janë prioritetet, të cilat i synoni t’i përmbushni si kandidat i nominuar për kryeministër?
Ramush Haradinaj: Do të fillojmë me rendin dhe ligjin në tërësi. Ka shumë punë për tu bërë. Do të jetë punë e vazhdueshme, po duhet t’ia fillojmë menjëherë . Edhe ekonominë, pra sipërmarrësit, zhvillimin ekonomik . Do të ketë një mobilizim të të gjithë mekanizmave që të ndodhë ekonomia në vend. Pra, kështu e kemi figuruar.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Haradinaj, koalicioni i partive që ju ka nominuar për kryeministër, ka thënë se do të ketë rritje ekonomike prej 8 për qind. Si mendoni se mund të arrihet kjo?
Ramush Haradinaj: Parakusht është shteti ligjor. Gjithçka bazohet në shtet ligjor, në gjyqësor kredibil dhe në një përkrahje apo asistencë direkte për sipërmarrësit në Kosovë që janë të shumtë, sipërmarrësit e vegjël dhe të mesëm, që të gjithë janë vërtetë aktiv. Por, mund t’i përkrahim. Ka plotë mënyra vepruese, qeverisëse që të mund të jemi partner për ta.
Radio Evropa e Lirë: Keni kundërshtuar marrëveshjen aktuale për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Si synoni ta zgjidhni këtë çështje, marrë parasysh se mbetet kusht për liberalizimin e vizave?
Ramush Haradinaj: Ne i gëzohemi marrëdhënieve të mira që kemi me Malin e Zi. Edhe ndjenja është e mirë. Jemi përkrahur në momente kyçe. Edhe ne e kemi përkrahë rrugën euro-atlantike të Malit të Zi dhe anëtarësimin në NATO. Nuk e shohim si vështirësi në marrëdhëniet tona. Vështirësi shohim në marrëdhëniet me Serbinë, ndërsa me Malin e Zi, jo. Versioni i tashëm i marrëveshjes është i gabuar, mirëpo do të korrigjohet ky version. Pra, një komision i ri do ta korrigjojë nga pala jonë. Do ta negociojmë me Malin e Zi dhe besoj se do të arrijmë deri te një zgjidhje.
Radio Evropa e Lirë: Mali i Zi, tashmë është shtet anëtar i NATO-s. A besoni se ka ende hapësirë për rinegocim të marrëveshjes?
Ramush Haradinaj: Po. Edhe ne aspirojmë që të jemi anëtarë të NATO-s e BE-së, ashtu si Mali i Zi, sikurse edhe plotë vende të rajonit që kanë ende tema të hapura ose të diskutueshme rreth kufijve dhe janë anëtarë të NATO-s ose BE-së.
Radio Evropa e Lirë: Cila do të jetë qasja e juaj në dialogun me Serbinë, për të cilin Bashkimi Evropian, ka thënë se nuk ka alternativë në rrugën e Kosovës drejt BE-së?
Ramush Haradinaj: Dialogu është i nevojshme në mes të gjitha palëve, mes të gjithë fqinjëve. Do të jetë dialog që u shërben palëve. Nëkëtë rast i shërben edhe Kosovës. Ne duhet të konsultohemi ndërsjellë në vendin tonë, të kemi një qartësi për dialog, të kemi objektiva të qarta. Për ne dialogu është dialog për njohje. Pra, është humbur shumë kohë në një gjendje të tillë. Jemi të interesuar për njohje reciproke me Serbinë dhe dialogu për ne është dialogu për njohje.
Radio Evropa e Lirë: A do ta ndryshoni qasjen në këtë dialog?
Ramush Haradinaj: Do të ndryshohet shumëçka në dialog, jo vetëm qasja. Substanca do të ndryshojë. Kosova nuk është temë e diskutimit në këtë dialog, pra çështjet e brendshme të Kosovës. Vetëm marrëdhëniet dypalëshe mund të jenë temë e diskutimit, por jo çështjet tona, të Kosovës.
Radio Evropa e Lirë: Sa është i qëndrueshëm koalicioni i subjekteve politike, të cilat ju kanë nominuar si kandidat për kryeministër, dhe a mendoni se do ta ruaj qëndrueshmërinë edhe pas zgjedhjeve, në rast se do të imponohet nevoja për partnerë tjerë për formimin e Qeverisë?
Ramush Haradinaj: Ky është një vullnet i palëve, është një vullnet i lirë dhe një marrëveshje politike me objektiva të qarta qeverisëse për vitet që vijnë. Besoj që jo vetëm që është i qëndrueshëm por, garanton edhe gjithë përkrahjen politike për një Qeveri që është vepruese, për një logjikë qeverisëse që është e re në vend, për një fillim të ri.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë nëse nuk arrihen numrat?
Ramush Haradinaj: Qytetarët vendosin, sovrani vendos. Ne jemi në punë, që vërtetë përkrahja me qenë e tillë, që Qeveria e Kosovës me qenë vepruese.