Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vazhduar edhe të shtunën të presë në takime ambasadorët e vendeve të ndryshme të akredituar në Kosovë, pas marrjes së detyrës.
Haradinaj priti sot në takime të ndara ambasadorin e Austrisë, Gernot Pfandler; atë të Finlandës në Kosovë, Anne Huhtamaki; të Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanoviq.
Zyra për Komunikim Publik e Kryeministrisë ka njoftuar edhe për takime të tjera, si dhe ka njoftuar se kryeministri Haradinaj ka vazhduar të pranojë telegrame urimi.
Takimet kanë qenë të mbyllura për mediet, por Zyra për Komunikim ka dërguar komunikata dhe fotografi nga takimet.
Haradinaj kërkon përkrahje për njohje të reja dhe anëtarësim në organizatat ndërkombëtare
Në takimin me ambasadorin e Republikës së Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler, sipas komunikatës, është biseduar për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet dy vendeve.
Kryeministri Haradinaj tha se Austria i ka dhënë mbështetje Kosovës në të gjitha periudhat e shtetndërtimit dhe posaçërisht perspektivës evropiane të vendit.
Kryeministri tha se është i rëndësishëm konsolidimi ndërkombëtar i Kosovës dhe përkrahja në procesin e shtimit të njohjeve të reja, anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, në OKB, NATO dhe BE.
Haradinaj theksoi se puna në përmbushjen e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, marrëdhënies kontraktuale me BE-në do të intensifikohet dhe do të përshpejtohen afatet e përmbushjes së obligimeve me qëllim të arritjes së statusit të kandidatit për anëtarësim, por vlerësoi se për Kosovën është me rëndësi qartësimi i rrugës evropiane.
Ai tha se Kosova është e përkushtuar në ruajtjen dhe kultivimin e fqinjësisë së mirë dhe ruajtjes së paqes e stabiliteti në rajon. Dialogu me Serbinë është i paalternativë, tha kryeministri Haradinaj, duke vlerësuar se dialogu duhet të ristrukturohet dhe të afatizohet, të përmbushen të gjitha marrëveshjet e arritura dhe të përmbyllet me rezultat konkret.
Haradinaj tha se qeveria ka vënë dinamikë të re të punës, është përqendruar në fushat e qeverisjes së mirë, sundimit të ligjit dhe të rendit, reformat në ekonomi, arsim…, stabilizimin në energjetikë.
E ambasadori i Austrisë, Gernot Pfandler, duke e përgëzuar kryeministrin Haradinaj për detyrën, theksoi se Austria do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën në të gjitha fushat.
Kreu i Qeverisë së Kosovës ka pritur në takim dhe ambasadorin e Maqedonisë, Ilija Strashevski, me të cilin diskutuan për sfidat dhe rrugëtimin e përbashkët të të dyja shteteve drejt perspektivës evropiane.
Marrëdhëniet Kosovë-Maqedoni duhet të thellohen sidomos në aspektin ekonomik e tregtar
Haradinaj theksoi se marrëdhëniet diplomatike dhe ndër-institucionale të Republikës së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë janë të shkëlqyera, dhe se ato duhet të thellohen sidomos në aspektin ekonomik dhe tregtar.
Ai e njoftoi ambasadorin Strashevski se puna në përmbushjen e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në do të intensifikohet dhe do të përshpejtohen afatet e përmbushjes së obligimeve deri në qartësimin e saktë kohor të perspektivës evropiane.
Haradinaj tha se qeveria sot ka një dinamikë përpara, dhe se është përqendruar në prioritetet e qeverisjes së mirë, sundimit të rendit dhe ligjit, reformat në ekonomi, shëndetësi dhe arsim dhe po adreson me intensitet të lartë të gjitha nevojat urgjente të qytetarëve të vendit.
E ambasadori Ilija Strashevski, duke e përgëzuar kryeministrin Haradinaj për dinamizmin dhe energjinë e re që ka sjellë në logjikën qeverisëse të Kosovës, ofroi mbështetjen e plotë të Maqedonisë në agjendën evropiane të Kosovës, si dhe bashkëpunim të shtuar në fushën e Diplomacisë Ekonomike.
Haradinaj: Finlanda është shtet mik dhe i preferuar i Kosovës
Kryeministri Haradinaj priti sot dhe ambasadoren e Finlandës në Kosovë, Anne Huhtamaki, me të cilën bisedoi lidhur me proceset që po kalon Kosova.
Haradinaj tha se Finlanda është shtet mik dhe i preferuar i Kosovës, prej nga vjen arkitekti i Planit Gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës, Martti Ahtisaari.
Ai është shprehur i lumtur dhe mirënjohës që ka marrë letër urimi nga kryeministri finlandez, Juha Sipila.
Haradinaj theksoi në takim se marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Finlandës dhe Kosovës janë të shkëlqyera dhe pret që vazhdimi i bashkëpunimit mes dy vendeve të intensifikohet.
Ai ka theksuar se Finlanda mund ta ndihmojë Kosovën në shumë rrafshe, sidomos në edukim, sektorin e energjisë, kujdesin shëndetësor dhe mjedisin.
Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan për zhvillimin e tregtisë mes dy shteteve, me fokus të veçantë investimet në Kosovë.
Kapitanoviq: Kroacia do të mbështesë aspiratat e Kosovës
Kryeministri i Kosovës priti sot në takim ambasadoren e Kroacisë, Marija Kapitanoviq, me të cilën bisedoi për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rrugën e integrimeve euro-atlantike për vendin.
Duke e vlerësuar angazhimin e Kroacisë për rrugën europiane të të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor, në veçanti për Kosovën, kryeministri Haradinaj tha se qeveria është e përkushtuar në përmbushjen e të gjitha obligimeve të saj për të arritur synimin e anëtarësimit.
Ai tha se puna në thellimin e reformave të agjendës europiane dhe të marrëdhënies kontraktuale me BE-në, me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, po përshpejtohet dhe Kosova do të zbatojë të gjitha kriteret e përcaktuara me qëllim të përafrimit me BE-në. Anëtarësimi i Kosovës në të gjitha organizatat dhe mekanizmat ndërkombëtarë, OKB, NATO dhe BE, është e një rëndësie të veçantë, tha kryeministri Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj theksoi se çështja e hapur e demarkacionit do të marrë së shpejti një drejtim dhe kjo do të mundësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në BE.
Ai tha se Kosova është e angazhuar për ruajtjen dhe ndërtimin e fqinjësisë së mirë dhe në këtë rrafsh i vlerësoi lart marrëdhëniet me Malin e Zi.Ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanoviq, e përgëzoi kryeministrin Haradinaj për detyrën dhe theksoi se Kroacia do të vazhdojë ta mbështes aspiratën e Kosovës dhe njëkohësisht edhe të rajonit të Ballkanit për integrime euro-atlantike.