”Kosova është me fat që në të gjitha periudhat e shtetndërtimit dhe konsolidimit të shtetësisë ka pasur përkrahë një shtet mik si Italia, që ndër vite ka treguar kujdes dhe mbështetje të veçantë për vendin dhe ky partneritet duhet të vazhdojë edhe në procese të rëndësishme për Kosovën, siç është liberalizimi i vizave, si një e drejtë e popullit tonë”, kështu tha kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë takimit me ambasadorin e Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi.
Kryeministri në detyrë Haradinaj, theksoi se Kosova ka treguar pjekuri të lartë politike dhe demokratike me procesin e ri të zgjedhjeve dhe se përkushtimi institucional do të vazhdojë në temat e rëndësishme, siç është dialogu, rruga euro-atlantike dhe fuqizimi i brendshëm i vendit.
Në këtë takim, kryeministri në detyrë Haradinaj, falënderoi shtetin italian për kontributin e dhënë në të gjitha fushat, duke theksuar rëndësinë e Italisë për procesin e integrimeve euro-atlantike të Kosovës, por edhe në anëtarësimin në organizatat tjera ndërkombëtare.
“Ne i kemi përmbushur të gjitha kriteret e parapara nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave dhe në këtë drejtim presim që Italia të jetë zë i fuqishëm në përkrahje të këtij procesi”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj, duke theksuar se liberalizimi i vizave do t’u mundësonte studentëve, bizneseve, por edhe qytetarëve tanë që të lëvizin lirshëm në zonën Schengen, si të gjithë popujt tjerë.
Duke theksuar partneritetin e shkëlqyer me Italinë, kryeministri në detyrë Haradinaj tha se investimet italiane në Kosovë forcojnë edhe më tej lidhjet ndërmjet dy vendeve tona. Me këtë rast, kryeministri në detyrë Haradinaj tha se me miratimin e Ligjit për Investime Strategjike, themelimin e zonave të lira ekonomike, në Kosovë është krijuar klimë e favorshme për investitorët e huaj.
Ambasadori i Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi, falënderoi kryeministrin në detyrë për pritje, duke theksuar përkrahjen e Italisë në proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.