Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka qëndruar për vizitë në Suharekë.
Atje ai ka zhvilluar takime me kryetarin e kësaj komune, Bali Muharremaj dhe ka vizituar disa fabrika e kompani prodhuese, raporton Ekonomia Online.
Vizitën në Suharekë, Haradinaj e ka përmbyllur me një takim me bizneset në Zonën Industriale.
Kryetari i Shoqatës së Bizneseve, Gani Sallauka, tha se në vitin 2018-të bizneset kanë paguar tatim 3.5 milionë euro.
“Në zonën industriale janë të vendosura 50 biznese. 800-1000 çdo mëngjes hyjnë konsum. Në 2018 kanë paguar tatim 3.5 milionë euro. Si shoqatë e biznesit mundohemi tu qëndrojmë afër bizneseve. Kemi në përfundim një projekt të zonave të gjelbra dhe rrugëve në zonën industriale”, tha ai.
Kryeministri Haradinaj tha se shpreson se çështja e tarifës në kufi do të zgjidhet së shpejti.
Ai tha se do ju qëndrojë afër biznesve dhe do t’i përkrahë ato.
“Këtë që shihet sot është me rëndësi me konfirmu se i kemi vendosë disa themele. Shpresoj që tarifa në kufi po zgjidhet si çështje. Kemi pasë dëshirë që sipërmarrësit të krijoni kanalin e komunikimit në kohë e jo kur të lodheni të na tregoni temat. Unë kisha pasë dëshirë me vepru më konkretë. Nuk ka një formulë që me iu garantu edhe kamatën për kredi. End nuk kemi arrit të jemi me ju. Kam shpresë që ju mund të jeni model i mirë jo vetëm kjo zona, por edhe mënyra si ju punoni. Shpresoj që ky model i juaji të inkurajoj edhe më gjerë”, tha Haradinaj.
Pronari i kompanisë “Golden Eagle”, Shaqir Palushi, tha se në mesin e shumë vendimeve të rëndësishme të kësaj Qeveria vlen të përmendet vendosja e flamujve të origjinës pranë produkteve.
“Vendim i rëndësishëm është vendosja e flamujve. Dëshiroj që kjo Qeveri të mbahet mend jo vetëm për kaq, por edhe për 30 vendime të tjera në favor të zhvillimit ekonomik kur dihet se një pjesë e qytetarëve janë të pakënaqur me zhvillimet sidomos në aspektin ekonomik”, tha ai.
Kryeministri Haradinaj tha se Qeveria iu ka ndihmuar komunave që të kenë në posedim prona për ato biznese të interesuara të cilat dëshirojnë të bëjnë biznes dhe të hapin qendra.
“I kemi mundësuar komunave që me pasë në posedim prona, qoftë në zona industriale për shumë vjet e kemi fuqizuar Komunën dhe kryetarin e Komunës me u kriju një marrëdhënieve më të fuqishme të secilës komunë. Ne i kemi dhënë edhe Komunës prona, psh: Shaqiri donë me e bë një qendër me pasë Komuna mundësi me operu. Kjo është diçka e re që nuk ka qenë. Ligji për Investime Strategjike është interesant, nëse keni ide nuk pritojmë me ju pritë. Nganjëherë ju na ndihmoni ne, ka raste që edhe ekspertiza te ne kish mund me iu ndihmu për qëllime biznesore”, tha Haradinaj, raporton EO.