Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë pjesëmarrjes në Konferencën për Ekonomi, në kuadër të Procesit të Berlinit për vendet e Ballkanit Perëndimor, që po mbahet në Budvë, sot u takua me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.
Kryeministri Haradinaj e ka njoftuar presidentin Gjukanoviq për angazhimin e Qeverisë për forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit, zhvillimin ekonomik, progresin e Kosovës në rrugën euroatlantike, si dhe për rëndësinë e anëtarësimit në INTERPOL dhe organizata të rëndësishme ndërkombëtare.
Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj ka vlerësuar raportet e mira bilaterale që Kosova ka me Malin e Zi, duke theksuar se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në fusha tjera të interesit të përbashkët, që ndikojnë në ngritjen e mirëqenies së qytetarëve tanë.
Po ashtu, kryeministri Haradinaj e ka njoftuar presidentin e Malit të Zi edhe me procesin e transformimit të FSK-së në ushtri dhe miratimin nga Kuvendi të tri ligjeve për FSK-në, duke theksuar se kjo është një e drejtë sovrane.
Në fokus të takimit ka qenë edhe tema e dialogut, për të cilin kryeministri Haradinaj, ka thënë se Kosova është e gatshme për një marrëveshje ligjore obligative me Serbinë, që do të thotë njohje reciproke, me detyrimin që Serbia të mos e pengojë Kosovën të bëhet anëtare e OKB-së dhe të bashkohet me mekanizma të tjerë ndërkombëtarë.