Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në kuadër të Samitit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor, zhvilloi një takim me presidentin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Suma Chakrabarti, ku u bisedua për bashkëpunimin e mëtejmë ndërmjet Kosovës dhe BERZH-it, si dhe për projektet konkrete që do të përkrahen nga ky institucion financiar ndërkombëtar.
Kryeministri Haradinaj, njoftoi presidentin Chakrabarti për të arriturat e Qeverisë, duke theksuar përkushtimin për zhvillim ekonomik, përmirësimin e ambientit të të bërit biznes dhe investimeve të huaja në Kosovë.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj vlerësoi kontributin e BERZH-it për Kosovën, në këto 5 vjetët që kur Kosova u bë pjesë e këtij institucioni, duke theksuar se është e nevojshme përkrahja për përmirësimin dhe ndërtimin e infrastrukturës hekurudhore, që do ta ndërlidhnin Kosovën me rajonin, përfundimin e Autostradës Prishtinë-Shkup, përkrahja për ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza, por edhe interesimin që Kosova të ketë qasje në gaz-sjellësin Trans Adriatik.
Kryeministri Haradinaj kërkoi nga drejtuesit e BERZH-it që të përkrahin më shumë sektorin privat dhe projektet inovative të vendit.
Presidenti i BERZH-it, Suma Chakrabarti, vlerësoi përkushtimin dhe reformat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës në fushën e zhvillimit ekonomik. Me këtë rast, presidenti Chakrabarti, tha se BERZH-i e konsideron Kosovën partner afatgjatë, duke ofruar mbështetjen e institucionit që drejton në funksion të zhvillimit të projekteve konkrete në Kosovë.
Në takim me Presidentin e BERZH-it, kryeministri Haradinaj u shoqërua nga zëvendëskryeministri Dalibor Jevtiq, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha dhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.