Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur në takim Stephan Mayer, sekretar parlamentar i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Gjermanisë, raporton Ekonomia Online.
Gjatë takimit, u bisedua për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve si dhe përkrahjen e Gjermanisë për Kosovën.
Me këtë rast, Haradinaj e njoftoi Mayer për progresin në Kosovë dhe prioritetet e Qeverisë në zhvillimin ekonomik, proceset eurointegruese dhe fuqizimin e tërësishëm të shtetit.
Haradinaj ka përmendur gjithashtu faktin që Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet e vëna nga Bashkimi Evropian, në procesin e liberalizimit të vizave.
Ndër tjerash, Haradinaj e ka falënderuar Mayer për përkrahjen e madhe të Gjermanisë për shtetin e Kosovës dhe qytetarëve të saj, duke shprehur përkushtimin e Qeverisë për fuqizimin e partneritetit strategjik dhe të bashkëpunimit në shumë drejtime.
“Gjermania është partner shumë i rëndësishëm i Kosovës duke qenë mbështetëse e zhvillimit ekonomik dhe forcimit të shtetësisë së Kosovës”, tha Haradinaj.
Po ashtu në këtë takim u bisedua edhe për çështjet tjera të rëndësishme për Kosovën, dialogun Kosovë – Serbi, për proceset politike brenda Kosovës si dhe për perspektivën eurointegruese.
Muaj më parë edhe ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ishte takuar me Mayer.
Sipas njoftimit, Hoxha kishte kërkuar mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Gjermanisë për liberalizimin e vizave për Kosovën duke qenë se MPB është pjesë e procesit të vendimmarrjes.
Gjatë takimit ndërmjet Haradinaj dhe Mayer, mediat u lejuan të marrin vetëm pamje.