Haradinaj priti në takim lamtumirës ambasadorin bullgar, Dantchev
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, priti në takim lamtumirës ambasadorin e Bullgarisë në Kosovë, Nedialtcho Dantchev.
Kryeministri Haradinaj falënderoi ambasadorin Dantchev për mbështetjen që Bullgaria i ka dhënë dhe po i jep vendit tonë, për rrugën e integrimeve euroatlantike të Kosovës dhe shprehu gatishmërinë, që edhe në të ardhmen bashkëpunimi mes dy vendeve të vazhdojë në të gjitha fushat.
“Kosova është e përkushtuar për vazhdimin e marrëdhënieve të mira dhe bashkëpunimin bilateral me Bullgarinë, si dy vende mike”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Kosova ka nevojë edhe më tutje të ketë një mik siç është Bullgaria dhe ndihmën që ajo mund të japë në procesin e liberalizimit të vizave dhe të integrimit në BE dhe në NATO, por edhe në synimin për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare.
Ndërsa, ambasadori bullgar, Nedialtcho Dantchev, tha se Bullgaria do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në përmbushjen e synimeve të saj për një shtet të suksesshëm të integruar në bashkësinë euroatlantike.
Ata diskutuan edhe për ndeshjen e sotme në futboll mes Kosovës dhe Bullgarisë.