Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim kryetarin e Subkomitetit për Politikë të Jashtme në Parlamentin e Australisë, Chris Crewther, me të cilin bisedoi për marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimin e gjithanshëm ndërmjet dy shteteve.
Haradinaj e njoftoi Crewther, për prioritetet e Qeverisë, orientimin properëndimor të Kosovës, si dhe për proceset e përgjithshme nëpër të cilat po kalon Kosova, duke filluar nga zhvillimi ekonomik, arsimi, shëndetësia, procesi i dialogut.
“Qeveria e Kosovës është e interesuar për rritjen e bashkëpunimit me Australinë, në shkëmbimin e përvojave të mira dhe në avancimin e këtyre raporteve në fushën e zhvillimit ekonomik. Kosova ka shumë për të ofruar si një partner serioz”, tha Haradinaj.
Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj vlerësoi se Kosova është në rrugën e duhur të integrimit evropian, ka përmbushur të gjitha kriteret e përcaktuara nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave, në të njëjtën kohë ka vlerësuar rekomandimin pozitiv të Komisionit Evropian për këtë proces, i cili është shumë i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës.
“Kosova ka të miratuar Ligjin për Investime Strategjike dhe falë përkushtimit dhe punës së saj ka arritur të krijojë ambient të përshtatshëm për investimet e huaja, të cilat janë të mirëseardhura edhe nga shteti i Australisë”, tha Haradinaj, duke vlerësuar edhe publikimin e raportit të fundit për Liritë Ekonomike në të cilin Kosova është ranguar mjaft lart.
Ndërkaq, kryetari i Subkomitetit për Politikë të Jashtme në Parlamentin e Australisë, Chris Crewther, vlerësoi të arriturat e Kosovës në një dekadë shtetësi dhe e përgëzoi kryeministrin Haradinaj për marrjen e rekomandimit pozitiv për liberalizimin e vizave, në të njëjtën kohë shprehu gatishmërinë e shtetit të tij për t’i ofruar ndihmë Kosovës në fusha konkrete.