“Është ndjenjë e posaçme të ju pres sot, këtu për t’iu falënderuar për punën e veçantë që keni bërë në portretizimin e figurës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, përmes veprave që keni shkruar dhe keni koleksionuar. Puna juaj është nder i madh për shqiptarët”, kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi priti në takim koleksionisten nga Londra e veprave të Skënderbeut, Patricia Nugee dhe një delegacion të shkencëtarëve nga Hungaria të kryesuar nga Pal Fodor.
Ky delegacion ishte pjesëmarrës në Konferencën e 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, të organizuar nga Zyra e Kryeministrit në kuadër të vitit mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
“Grumbullimi i veprave për luftën dhe historinë e Skënderbeut është gjest për t’u përshëndetur dhe populli shqiptar do të jetë falënderues për këtë gjest”, tha Kryeministri Haradinaj, duke e falënderuar në veçanti Patricia Nugee, e cila ka mbledhur 37 libra kushtuar Gjergj Kastriotit Skënderbeut, përgjatë periudhave të ndryshme, nga vende të ndryshme të Evropës, duke i blerë librat përmes financave vetanake për heroin kombëtar Gjergj Kastriotin Skënderbeun.
Nga ana tjetër, Nugee dhe delegacioni i shkencëtarëve nga Hungaria, falënderuan Kryeministrin Haradinaj për pritjen që ua bëri, duke thënë se Kosova është në rrugën e duhur dhe u shprehën mirënjohës për angazhimin konkret veçmas në fushën e Albanologjisë.
Në këtë takim pjesëmarrës ishin edhe Ambasadori i Hungarisë në Prishtinë Laszlo Markuzs dhe studiues nga Shqipëria dhe Kosova.