Kryeministri Ramush Haradinaj ka pritur në takim zëvendësndihmësin e sekretarit të Shtetit amerikan për çështjen e parandalimit të konflikteve, Pete Marocco.
“Mbështetja e SHBA-ve në proceset nëpër të cilat po kalon vendi, liberalizimin e vizave, finalizimin e dialogut me Serbinë dhe anëtarësimin në BE dhe NATO është jetike për Kosovën dhe qytetarët e saj”, tha kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, gjatë takimit.
Në këtë takim, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori amerikan Greg Delawie, kryeministri Haradinaj e ka njoftuar Zëvendës-Ndihmës Sekretarin Marocco për të arriturat në Kosovë në fushën e sundimit të ligjit, zhvillimin ekonomik, parandalimin e ekstremizmit dhe radikalizmit ekstrem, duke theksuar përkushtimin e qeverisë për paqen e qëndrueshme në vend dhe rajon.
“Kosova ka dëshmuar përkushtimin e saj që të parandalojë dhe luftojë ekstremizmin në vend dhe ky angazhim do të vazhdojë”, ka thënë kryeministri Haradinaj, duke konfirmuar vizionin euro-atlantik të Kosovës.
Kryeministri Haradinaj ka thënë se anëtarësimi në INTERPOL do të ndihmonte jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin dhe BE-në në fuqizimin e sigurisë dhe se për këtë është e nevojshme edhe ndihma e SHBA-ve.
Kryeministri Haradinaj, e ka falënderuar Zëvendës-Ndihmës Sekretarin Marocco për ndihmën e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhënë Kosovës në të gjitha etapat e shtetndërtimit.
Zëvendës-Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për çështjen e Parandalimit të Konflikteve, Pete Marocco, vlerësoi të arriturat në Kosovë, duke theksuar përkushtimin e SHBA-ve për të ndihmuar Kosovën në të gjitha proceset e rëndësishme për vendin, derisa çmoi angazhimin konkret të Kosovës në luftimin e ekstremizmit dhe terrorizmit.