Turqia përkrahë anëtarësimin e Kosovës në Interpol

Prishtinë | 20 Tet 2018 | 09:56 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në Kosovë.

Mediet kanë marrë vetëm pamje nga takimi, ndërsa nuk ka pasur deklarime pas takimit.

“Marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Republikës së Turqisë janë të mira dhe këtë frymë mirëkuptimi të ndërsjellë do ta vazhdojmë edhe në të ardhmen. Republika e Turqisë do të ketë një rol të veçantë në përkrahje të Kosovës për anëtarësimin në INTERPOL dhe organizata tjera ndërkombëtare si dhe në shtimin e njohjeve të reja për Kosovën”, kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu, bëhet  ditur përmes një komunikate për medie.

LEXO Edhe: Çavusoglu i kërkon Pacollit deportimin edhe të gylenistëve tjerë

Kryeministri Haradinaj tha se Turqia është dhe vazhdon të mbetet partner strategjik në fushën e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe të sigurisë.

Kryeministri Haradinaj e ka njoftuar ministrin Çavusoglu për zhvillimet e fundit në Kosovë, për progresin e Kosovës në rrugën euroatlantike, rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizata të rëndësishme ndërkombëtare si dhe për angazhimin e Qeverisë në zhvillimin ekonomik, forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit, liberalizimin e vizave si dhe për procesin e njohjeve.

Kryeministri Haradinaj e ka falënderuar ministrin Çavusoglu për mbështetjen që ka dhënë dhe po vazhdon të jep Turqia në forcimin e shtetësisë së Kosovës dhe subjektivitetit ndërkombëtar.

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu, falënderoi kryeministrin Haradinaj për pritje, duke konfirmuar angazhimin e shtetit të tij për proceset zhvillimore në Kosovë, për mbështetjen e Kosovës në rrugën euroatlantike dhe për anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.

Në takim, po ashtu është biseduar edhe për rolin e komunitetit turk në institucionet e vendit dhe shtendërtimin e Kosovës, për të cilën kryeministri Haradinaj tha se të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë kanë të drejta të afirmuara, poashtu edhe komuniteti turk është i përfaqësuar në të gjitha institucionet e Kosovës.

Në takim ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri dhe ministër i Punëve të Jashtëm, Behgjet Pacolli, ministri i Administratës Publike, Mahir Jagxhillar, ministri i Zhvillimit Rajonal, Rasim Demir dhe ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kiliç.

Mbrëmë, Çavuşoğlu është pritur në takime të ndara nga presidenti Hashim Thaçi dhe kryediplomati kosovar, Behgjet Pacolli.

Në takime, sipas njoftimeve zyrtare, është biseduar për zgjerimin e bashkëpunimit bilateral në sektorët e ekonomisë dhe atë të mbrojtjes e sigurisë.

Turqia konsiderohet ndër 6 partnerët tregtar më të mëdhenj të Kosovës në përgjithësi, ndër tre partnerët më të mëdhenj në rajon me një shkëmbim tregtarë në vlerën prej 1.86 miliardë Euro përgjatë viteve 2008-2016 dhe bënë pjesë në grupin e vendeve me prezencën më të madhe të investimeve në Kosovë me një vlerë prej mbi 1.5 miliardë euro.

Deri më tash, llogaritet se mbi 1 mijë biznese turke janë të regjistruara në tregun e Kosovës me rreth 10 mijë vende të reja pune të krijuara në vend.

Të ngjashme