Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një takim në Departamentin Amerikan të Shtetit me Daniel J. Lawton, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Departamentit të Shtetit pranë Byrosë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike.
Përmes një postimi, Haradinaj tha se e ka falënderuar z. Lawton për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës ndër vite.
“Pata nderin që në Departamentin Amerikan të Shtetit të takoj z. Daniel J. Lawton. E falënderova për mbështetjen e palëkundur që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Kosovës, nga liria jonë e deri te ndërtimi i demokracisë dhe institucioneve shtetërore,” ka shkruar Haradinaj.
Ai theksoi se partneriteti ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së mbetet i fortë dhe strategjik, duke nënvizuar rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO.
“Partneriteti dhe miqësia ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë të qëndrueshme dhe strategjike. Anëtarësimi i Kosovës në NATO jo vetëm që do të forcojë sigurinë tonë, por do të kontribuojë edhe në paqe, stabilitet dhe mbrojtje kolektive në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe komunitetin euro-atlantik,” ka deklaruar Haradinaj.