Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një takim me bordin e Odës Ekonomike Amerikane ka folur rreth taksës 100% të vendosur nga Qeveria për mallrat serbe, raporton Ekonomia Online.
Haradinaj tha se kjo taksë ka pasur disa çrregullime, derisa edhe potencoi se taksa nuk është vënë për të favorizuar prodhuesit vendës, por për shkak të cenimeve të vazhdueshme të shtetësisë së Kosovës nga Serbia.
“Taksa i ka shkaktuar disa çrregullime për disa prej bizneseve të vendit. Por ju kemi thënë që taksa nuk është vënë për shkak të prodhuesve vendës, por pasi jemi ndier të rrezikuar për shkak të proceseve të rrezikshme nga shteti serb. Nuk kemi qenë të pavetëdijshëm për vendosjen e taksës”, tha Haradinaj, raporton EO.
Ai pati edhe një lutje për prodhuesit vendës, duke kërkuar nga ata që mos ta rëndojnë xhepin e konsumatorit.
“Kemi një lutje, është një situatë e ndjeshme, që t’i kursejmë qytetarët me çmime dhe mos t’ua kalojmë atyre barrën menjëherë”, tha ai.
Haradinaj: Ky vit është vit i ekonomisë për Kosovën
“Do të punoj pa asnjë hezitim për temat e ekonomisë”, ky ishte zotimi i kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi zhvilloi një takim pune në Odën Ekonomike Amerikane, bashkë me përfaqësues të bizneseve amerikane në vend dhe sipërmarrës të tjerë.
Në këtë bashkëbisedim, të hapur edhe për mediet, kryeministri Haradinaj, tha se në Kosovë, gjatë vitit të kaluar për fat të mirë disa punë rreth aspektit legjislativ janë realizuar dhe se infrastruktura e vendit, e ligjit dhe sigurisë është përmbyllur në tërësinë e vetë edhe me ushtrinë dhe se tani krahas avancimit të vazhdueshëm në rend dhe ligj, fokusi i Qeverisë do të jetë në ekonomi dhe në këtë drejtim do të angazhohen pa asnjë hezitim.
“E kemi përzgjedhur që ta vizitojmë sot Odën Ekonomike Amerikane si mekanizëm jo qeveritar por edhe për shkak të vlerës së gjithë juve por edhe porosisë që e çoni si institucion, për bashkëpunimin ekonomik ndërmjet Kosovës e Amerikës. Angazhimi juaj është interes i shumanshëm i vendit tonë dhe unë ju përgëzoj për një vit të mbarë pune”, theksoi kryeministri Haradinaj.
Ndër tjerash, kryeministri Haradinaj tha se do të punohet që të shkurtohet koha e komunikimit të ndërsjellë mes palëve që të gjithë akterët ekonomikë të kenë mundësinë sa më shpejtë të komunikojmë me akterët të tjerë por edhe Qeverinë.
“Qëllimi i këtij mobilizimi është që të mos iu vonohet ndonjë proces i komunikimit dhe u bëjë thirrje që të jeni sa më të hapur në lidhje me tema të ndryshme që i përfaqësoni”, ka thënë kryeministri Haradinaj, duke ritheksuar edhe njëherë se ky është një vit i ekonomisë dhe të gjithë mekanizmat institucionalë, ministritë, agjencitë por edhe Komunat, të gjithë do të jenë funksion të ngritjes ekonomike.
Në fjalën e tij sot, kryeministri Haradinaj, po ashtu tha se janë në dijeni se taksa e vendosur ndaj shtetit serb i ka shkaktuar disa çrregullime e vështirësi në të bërit biznes, por sqaroi se kjo taksë nuk është bërë kundër prodhuesve vendorë por si rezultat i praktikave të caktuara e agresive nga Serbia por edhe i mohimit të të drejtave tona në të bërit biznes.
Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, tha se në Odën Ekonomike Amerikane, nuk ka më mirë se si të nisë viti, se sa me një takim me kryeministrin Haradinaj, me të cilin diskutuan për shumë tema me rëndësi për zhvillimin ekonomik, duke pasur parasysh edhe faktin se edhe vetë kryeministri e ka proklamuar që ky vit do të jetë vit i zhvillimit ekonomik.
Presidenti i Bordit të OEA-së, Ilir Ibrahimi, ndërkaq, tha se si Odë Ekonomike Amerikanë janë të gatshëm dhe të hapur për një dialog publik me institucionet qeveritare, sepse në OEA ka segmente të mjaftueshme, të cilat do të mund të ishin në imputin e tyre për vizionin, të cilin e ka Qeveria për zhvillimin ekonomik.
Kryeministri Haradinaj në bashkëbisedim me sipërmarrësit dhe përfaqësuesit e bizneseve amerikane që operojnë në Kosovë, i është përgjigjur shumë pyetjeve që kanë të bëjnë me politikat ekonomike të Qeverisë dhe pengesave të tjera administrative dhe burokratike që u bëhen bizneseve në vend.
Me këtë rast kryeministri Haradinaj tha se inkurajon Odën Ekonomike Amerikane, por edhe mekanizmat e tjerë ekonomikë, që të bëhen partnerë të Qeverisë në identifikimin e të gjitha pengesave, për zhvillim ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës.