Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, në mbledhjen e Qeverisë ka propozuar që të diskutohet edhe problemi i qenve endacakë.
Haradinaj tha se çështja e qenve endacakë ka qenë kompetencë e komunave, mirëpo deri më tani komunat nuk kanë arritur që ta zgjidhin këtë problem.
Ai ka kërkuar një mobilizim ndërinstitucional, duke përfshirë komunat dhe ministritë përkatëse që në një afat sa më të shkurtër të adresohet kjo çështje dhe të merren masat për tejkalim të situatës së krijuar.
Më tutje ai kërkoi nga ministrat veçanërisht nga ministri Rikalo, që të merret me këtë temë dhe të shikohet se cilat janë vështirësitë në të cilat hasin komunat se përse deri më tani nuk kanë gjetur zgjidhje, raporton EkonomiaOnline.
Haradinaj gjithashtu kërkoi që të shikohet nëse është e mundur që të gjendet ndonjë rrugë sa më e shpejt për zgjidhjen e këtij problemi.
Ndërsa, ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se nëse është problem mjetet financiare, atëherë nga Ministria e Financave do të mund ta ndajë një fond i cili do t’iu dal në ndihmë komunave për trajtimin e qenve endacakë.