Takimi i liderëve shtetërorë, i mbajtur në zyrën e presidentit, për procesin e dialogut, ka përfunduar, gjera për media ka folur vetëm Kryeministri Ramush Haradinaj.
Kreu i Qeverisë është i bindur që kufijtë dhe territori nuk do të diskutohen me Serbinë, pak ditë para se të mbahet takimi i radhës në Bruksel mes dy presidentëve Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq.
Sipas tij, edhe Presidenti është shprehur se nuk do të ketë ndarje të Kosovës.
“Në përgjithësi konsulta ishte rreth dialogut dhe proceseve në dialog. Nuk kemi biseduar për mënyrën e shkuarjes, por për parimet e dialogut, pra që dialogu është i nevojshëm, është i rëndësishëm, njohja reciproke është e nevojshme, procesi i dialogut nuk nënkupton diskutim të territorit as të kufijve të Kosovës dhe ky ishte qëndrimi i kësaj shprehje”.
” Edhe presidenti shprehu pozicionin e tij se respekton territorin, integritetin, sovranitetin e vendit, por i ushtron funksionet e veta në bazë të kushtetues dhe nuk pranohet të diskutohet territori i vendit”.
“Ajo që mendoj që është me rëndësi, është të qartësohen pozicionet institucionale, pra që të kemi qëllim të qartë institucional, që territori, kufijtë nuk diskutohen dhe nuk janë çështje për diskutim në fazë të dialogut dhe kjo është rëndësia, pastaj është shumë më rëndësi që opozita dhe të gjithë të tjerët të jenë pjesë e dialogut “, tha Haradinaj, raporton Ekonomia Online.