Nesër në ora 13:00, kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thirrur mbledhje të Qeverisë në detyrë
Kështu kanë konfirmuar nga zyra e Haradinajt. Të njëjtët kanë sqaruar se në rend të ditës për diskutim do të jetë vetëm një pikë.
Kur kanë kaluar më shumë se tre muaj nga zgjedhjet e gjashtë tetorit, Kosova po vazhdon të funksionojë me qeveri në detyrë, në krye me Ramush Haradinaj. Ky i fundit kishte dhënë dorëheqje pas ftesës që kishte marrë për intervistim nga Gjykata Speciale.
Mbledhja që do të mbahet nesër është e 116 me radhë. Të tilla pas dorëheqjes Haradinaj ka thirrur disa herë. Ai ka bërë thirrje që sa më shpejtë të krijohet qeveria e re, duke thënë se janë disa çështje për të cilat duhet të merren patjetër vendime.
Në anën tjetër, disa muaj pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme, edhe pas presionit të shtuar ndërkombëtar, VV-ja dhe LDK-ja nuk kanë arritur që të merren vesh për koalicion.