Kryeministri Ramush Haradinaj ka organizuar pritje për pjesëtarët e komunitetit egjiptas nga diaspora.
Haradinaj tha se egjiptasit kanë qenë gjithmonë dhe janë të respektuar në Kosovë, por theksoi se gjendja e ekonomike dhe sociale e tyre nuk është e mirë.
Haradinaj u ka kërkuar atyre që të ndihmojnë njëri-tjetrin dhe të jenë qytetarë të mirë në shtetet ku jetojnë, derisa tha se perspektivën e vendeve të Evropës duhet ta sjellin në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
“Pozitën e keni pak më të vështirë në Kosovë, do të jemi bashkë por ju lus edhe juve që të mendoni për njëri-tjetrin. Ju siguroj se investim më të madh se në njerëz nuk ka. Nëse i ndihmoni një fëmijë me një bursë i ndihmoni shumë. E di se jeta ju ka sfiduar, gurbeti është telashe, por ata që janë atje e shohin perspektivën dhe është në të mirën e juaj me lidhe me Kosovën. Bëhuni shtetas të mirë të atyre vendi, silluni mirë. Pritja është e para qe ndodh në institucionet e vendit. Kjo është shtëpia juaj”, deklaroi Haradinaj.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se vazhdimisht ka pasur përkrahjen e kryeministrit që për komunitete të caktuara që përballen me vështirësi, të ndahen linja të veçanta buxhetore.
“Besoj fuqishëm në përkrahjen e kryeministrit që të jenë linja të përhershme. Kur e kam mbështetjen e kryeministrit ndihem më lehte dhe marr përgjegjësinë që t’i reflektojë në numra dhe linja buxhetore. Ejani investoni dhe kontribuoni në vendin e juaj”, tha Hamza, raporton Ekonomia Online.
Zëvendësministri i Diasporës, Qerim Bajrami, ndërkaq, ka thënë se ministria e tyre është e hapur edhe për komunitetin egjiptian dhe ka ftuar pjesëtarët e tij që të mos hezitojnë të kërkojnë çkado qe kanë nevojë.
“Kjo është praktikë e dobishme për institucionet dhe diasporën. Pa diasporën Kosova nuk do të ishte këtu ku është. Jemi falënderues ndaj kryeministrit për përkrahjen ndaj komunitetit egjiptian”, theksoi Bajrami.
Deputeti ky komunitet, Veton Berisha, tha se diaspora përbën 70 përqind të popullatës egjiptiane që jeton jashtë për shkak të së kaluarës dhe gjendjes sociale.
Berisha ka shtuar se i diasporës egjiptiane është i çmueshëm dhe duhet respektuar, ndërsa u ka bërë thirrje atyre që të investojnë në Kosovë dhe t’i shkollojnë fëmijët e tyre në gjuhën shqipe.
“Kërkojmë që te mos hiqni dorë nga Kosova, të gjitha investimet t’i bëni në Kosovë. Kjo është e nevojshme për ne dhe e rëndësishme për Kosovën si shtet multietnik. Kemi nevojë që fëmijët tanë në diasporë të shkollohen në gjuhën shqipe, sepse është e rëndësishme lidhja me shteti”, tha Berisha.
Qelë Neziraj, përfaqësues i diasporës egjiptiane, tha se takimi me kryeministrin Haradinaj ishte ëndërr e cila iu realizua sot.
Ai tha se diaspora egjiptiane ka qenë gjithmonë krahë i fortë i Kosovës, derisa ka ftuar diasporën që të investojnë në Kosovë duke thënë se duhet ta ndërtojnë ardhmërinë e këtij vendi.
“Zoti kryeministër, ka qene e mundimshme ardhja ime për dy ditë rrugë. Bëni diçka të mundshme qe kolonat ti zvogëloni, fajin po e ndajmë përgjysmë. Qëllimi im është që sikur të ishin 2 sportele s’do të kisha pritur 5 orë por 2 e gjysmë. Ju lus që të keni mirëkuptim edhe për neve , lehtësirat do të na ndihmonin” tha Qelaj.
Qelaj, në emër të diasporës egjiptase, i ka ndarë një mirënjohje kryeministrit Haradinaj, raporton Ekonomia Online.