Në mbledhjen e sotme të Qeverisë po diskutohet edhe për luftimin dhe parandalimin e korrupsionit.
Lidhur me këtë çështje, kryeministri Ramush Haradinaj tha se mund të vërtetohet nga të dhënat e raporteve se Kosova është serioze në luftën kundër krimit të organizuar dhe poashtu se në këtë proces kemi garancë se do të jemi në vazhdimësi të suksesshëm, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri Haradinaj përmendi faktin se Qeveria që ai drejton, deri tani ka zhvilluar një sërë takimesh të nivelit të lartë për sundim të rendit dhe të ligjit, në të cilat kryesuesit e institucioneve të rendit dhe ligjit, të luftës kundër krimit e korrupsionit, kanë raportuar për gjendjen në këto institucione veç e veç, për të arriturat, sfidat, por edhe kanë nxjerrë edhe objektiva për të ardhmen, shumica e të cilave ndërlidhen me luftën kundër korrupsionit.
“Kuptohet se ndjenja dhe përgjegjësia e madhe që e kanë bartësit në këto institucione poashtu është garancë. Duke dashtë me konfirmu këtë si proces dhe si garancë, jam thellë i bindur se Kosova do të kthehet në storie të suksesit në luftën kundër korrupsionit”, shtoi kryeministri Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj përmendi faktin se liberalizimi i vizave është një çështje më urgjente për të cilën qytetarët e vendit kanë pritur gjatë, duke shprehur besimin se në ditët që vijnë, Bashkimi Evropian do të mund të japë lajmin e shumëpritur për liberalizimin e vizave.
Me nga një fjalë para të pranishmëve folën edhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj, kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci, drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli.