Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj përmes një postimi në Facebook ka përkrahur seancën e thirrur lidhur me kërkesën që Kuvendi të miratojë rezolutë lidhur me pezullimin e aktivitetit të kazinove dhe lojërave të fatit, si dhe plotësim-ndryshimin e ligjit ekzistues.
“Përshëndes propozim rezolutën e 49 deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, lidhur me pezullimin e aktiviteteve të kazinove dhe lojërave të fatit dhe plotësim ndryshimin e ligjit përkatës”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Thotë madje se ekzekutivi e organet e drejtësisë, janë mobilizuar për të reaguar dhe për të parandaluar këto degradime nëpër lokale bastesh.
“Ditë më parë, si Kryeministër i vendit kam kërkuar inicimin e procedurave të nevojshme brenda ekzekutivit, të cilat do të rezultonin me mbylljen dhe pezullimin e aktiviteteve të kazinove dhe lojërave të fatit. Përballë kësaj gjendjeje, ne nuk do të lejojmë që këto vende të jenë arenë e krimit dhe të marrin jetë njerëzish. Ekzekutivi dhe organet e sigurisë, tashmë janë mobilizuar për të reaguar dhe parandaluar degradimin e mëtejmë”, përfundon Haradinaj.