Kryeministri Ramush Haradinaj ka vizituar sot kompaninë “Liri” në Prizren, ku u informua se në tre muajt e fundit ajo ka rritur prodhimtarinë 100 % dhe ka shtuar numrin e punëtorëve nga 120 në 160.
Kreu i Qeverisë tha se kjo kompani ka prodhime cilësore dhe është brand yni, prandaj i ftoi të gjithë qytetarët të blejnë dhe konsumojnë prodhime të brendeve kosovare, raporton Ekonomia Online.
Haradinaj tha se Qeveria e vendit në Vitin e Ekonomisë, do të vazhdojë t’u qëndrojë afër prodhuesve vendës, përmes politikave mbështetëse dhe thellimit të reformës fiskale, në mënyrë që të zgjerohen këto biznese dhe të hapin vende të reja të punës.
“Shpreh kënaqësinë që jemi këtu ku prodhohen produktet më të mira, është lënda e parë e kualitetit më të lartë, puna është e teknologjisë më të mirë, nga njerëzit tanë. Falënderoj pronarët që po ofrojnë produkte më të mira; është brand yni, i Kosovës, dhe arritja e prodhimit këtu për vende të punës e rrit edhe buxhetin dhe investimet”, tha Haradinaj.
Sipas tij, me vendosjen e taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe, prodhimi në përgjithësi në Kosovë është rritur.
Haradinaj tregoi se fëmijët e tij nuk i konsumojnë prodhimet e huaja, ai shtoi se “Sempre” është shumë më e mirë sesa psh “Plazma” e Serbisë.
Haradinaj: S’kam presion për heqjen e taksës, ka mendime të ndryshme
I pyetur se a ka presion për heqjen e taksës për mallrat nga Serbia dhe Bosnja, të vendosur tash e disa muaj, Haradinaj tha se vetëm ka “mendime të ndryshme”.
“Nuk kemi presion, por kemi mendime të ndryshme”, tha ai, ndërsa vlerësoi se kjo fabrikë është edhe një shembull që tregon se kjo taksë është e drejtë.
“Ky është një shembull shumë i vërtetë nuk po e imagjinojmë. Prodhimi këtu është rritur 100 për qind këtu… A ka më mirë se kjo”, deklaroi Haradinaj.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, tha se qeveria duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje prodhuesve vendës dhe t’i përkrahë që ata ta rrisin cilësinë dhe prodhimin e tyre.
“Fabrika ‘Liri’ është nga Prizreni. Më mirë është prodhimi në këtë fabrikë edhe taksa ka ndiku më shumë, kështu që prodhimet vendore të kenë më shumë vend në tregun e Kosovës, edhe qeveria do i kështu vëmendje më shumë prodhueseve vendës”, tha Haskuka.
Arben Tërshnjaku, menaxher i kompanisë “Liri” në Prizren, pasi falënderoi kryeministrin Haradinaj për pritje, tha se e kanë njoftuar për punën që po bëhet në këtë kompani e cila tashmë po punon me kapacitete të shtuara.
Ai tha se pas vendosjes së taksës, është rritur numri i punëtorëve, orari i punës, dhe tani po punohet me tri ndërrime dhe ky sukses është dëshmi që tregon se ka kapacitete për zëvendësim të produkteve që më herët kanë ardhur nga Serbia.
“Kemi produkte shumë kualitative, të cilat kanë kaluar shumë teste edhe në tregun evropian dhe produktet tona tashmë shiten edhe në Zvicër, Gjermani, Itali dhe Suedi”, tha Tërshnjaku, duke theksuar se me këtë i tregojnë popullit të Kosovës se garantojnë cilësi dhe kualitet të produkteve të tyre.