Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, së bashku me Ministrin e MKRS-së, Kujtim Gashi dhe Ministrin e Administratës publike, Mahir Yagcilar, kanë vizituar komunën e Mamushës, komunë kjo e cila përbëhet shumica prej qytetarëve turk, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri Haradinaj gjatë kësaj vizite në komunën e Mamushës ka thënë se ka ardhur në këtë komunë për të mësuar kërkesat e qytetarëve dhe nevojat e tyre dhe si Qeveri t’i dalin në ndihmë.
“Mamusha është komunë simbolike sepse është rurale, bujqësore ku jeton një komunitet autokton. Është shembull i mirë i njerëzve punëtor, njerëzve të mirë, të dashur dhe të respektueshëm, që vërtetë e kanë respektin e gjithë popullit të Kosovës.”, tha ai.
Kryeministri i vendit, komunën e Mamushës e cilësoi si një urë lidhëse mes Kosovës dhe Turqisë.
“Është edhe urë lidhëse të popullit të Kosovës dhe atë turk. Jam këtu me mësu kërkesat dhe nevojat e detyrat që na dalin ne si Qeveri në të ardhmen. Kjo komunë është e vogël që të ardhurat i ka 2 milionë. Jam i bindur se së bashku do mund të ecim drejt zhvillimit të Mamushës dhe drejt zhvillimit të Kosovës. Iu siguroj se Qeveria është e juaja ashtu siç jeni ju të Kosovës”, tha Haradinaj, raporton EO.
Ministri i Administratës publike Mahir Yagcilar, tha se Mamusha ka treguar suksesin e saj si komunë e themeluar para 10 vjetëve, sukses ky i cili sipas Yagcilar është i tërë Kosovës.
“Kryeministër mirë se keni ardhë në Mamushë, një qytet që është shumica prej komunitetit turk, ju jeni në një mënyrë krijues i kësaj komune kështu që mirë se keni ardhë në komunën që e keni krijuar ju para 10 vitesh. Besoj që gjatë këtyre 10 viteve Mamusha ka treguar suksesin e vet dhe është suksesi i Kosovës”, tha ai.
Kryeministri Haradinaj pati takim edhe me kryetarin e kësaj Komune, Abdylhadi Krasniq.