Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim delegacionin e Parlamentit Evropian, të kryesuar nga Tonino Picula, i cili po qëndron në Kosovë për të marrë pjesë në mbledhjen e Pestë të Komisionit Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë, i cili përbëhet nga deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe të Parlamentit Evropian.
Kryeministri Haradinaj, e njoftoi delegacionin nga Parlamenti Evropian për të arriturat në të gjitha fushat, me theks të veçantë në zhvillimin e qëndrueshëm ekomomik, forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit, përmbushjen e agjendës së Reformave Evropiane dhe në fusha të tjera që ndikojnë në rritjen e mirëqenies sociale.
Kryeministri Haradinaj në veçanti ka falënderuar deputetët për votën pro liberalizmit të vizave në Parlamentin Evropian, duke thënë se ky konfirmim është lajm i mirë për popullin e Kosovës.
“Vendimi i Parlamentit Evropian pro rekomandimit për heqjen e vizave, ishte lajm i mirëpritur nga institucionet dhe populli i Kosovës, andaj në emër të qytetarëve tanë ju shpreh mirënjohjen të gjitha institucioneve të BE-së për punën dhe angazhimin e tyre që Kosova të jetë pjesë e integrimeve evropiane. Vota juaj pro kosovarëve është votë pro qytetarëve tuaj. Ne jemi të përkushtuar që t’i takojmë vlerave evropiane, besimit evropian dhe një ditë edhe familjes evropiane”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Kosova është e përqendruar që të vazhdojë punën e saj në konsolidimin e brendshëm në të gjitha fushat, marrëdhëniet e mira ndër fqinjësore, dialogun dhe në fuqizimin e partneritetit me vendet e BE-së dhe SHBA-të.
Në këtë takim u diskutua edhe për progresin e Kosovës dhe rezultatet e arritura në implementimin e MSA-së.
Kryeministri Haradinaj i njoftoi parlamentarët evropianë për zbatimin e MSA-së, për të cilën tha se ka dhënë rezultate pozitive, dukefalënderuar institucionet e BE-së, në përkrahjen e dhënë në implementimin e masave që duhen ndërmarrë për zbatimin e Reformës së Agjendës Evropiane.
Deputetët e Parlamentit Evropian të kryesuar nga Tonino Picula përshëndetën të arriturat në Kosovë, duke theksuar përkrahjen e vazhdueshme të Parlamentit Evropian në proceset e integrimeve evropiane të Kosovës dhe duke inkurajuar institucionet të vazhdojnë angazhimin e tyre për fuqizimin e brendshëm dhe ndërkombëtar të Kosovës.
Pjesë e takimit ishte edhe shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha dhe ambasadori i Kosovës në Bruksel, Bernard Nikaj.