Kryeministri dhe lider i AAK-së, Ramush Haradinaj, iu ka bërë thirrje lipjanasve ta votojnë kandidatin e tyre për kryetar, Fitim Selimi, sepse ai është një njeri i drejtë dhe që nuk bën hile.
Por, edhe për vete ka thënë se “jam shembull për t’u marrë”.
Haradinaj, së bashku me kandidatin Selimi, ka mbajtur një tubim në Gadime të Lipjanit. “Kam ardhur në Lipjan e Gadime sepse kam respekt për vlerat tuaja dhe angazhimin që e keni për me kërku besimin për doktor Fitimin. Ky e ka një ëndërr dhe e do punën; e shembull për t’u marrë jam edhe unë”, u shpreh Haradinaj.
“Vlerat e doktor Fitimit na japin besim, sepse ai është intelektual edhe mjek shumë i suksesshëm e njeri i drejtë e që nuk bën hile”, shtoi ai.
Haradinaj theksoi se detyrat e qeverisë nacionale dhe asaj komunale. “Janë të shkruara çfarë duhet të jenë. Ka ligje dhe financa për të ndihmuar dhe lehtësuar jetën e njerëzve, duke filluar nga infrastruktura bazike”.
Kurse, Fitim Selimi, kandidat për Komunën e Lipjanit, tha se Kosova ka qenë në një stagnim në katër vitet e kaluara.
Sipas tij, përcaktimi AAK-së për ta shpëtuar vendin ishte i domosdoshëm. “Kemi ardhur te një etapë të fundit të mashtrimeve dhe po nis një fillim i ri, të cilit do t’i prijë Ramush Haradinaj dhe do të kulmojë me pritjet që qytetarët tanë i kanë pasur me vite të tëra”.
Në vazhdim, Selimi u ndal te keqqeverisja dhe problemet konkrete të Lipjanit. “Ne nuk shohim përparim në arsim as shëndetësi, sepse deri tash nuk kemi pasur qeverisje”. Kjo, u zotua Selimi, do të ndryshojë me qeverisjen e drejtuar nga AAK-ja.