Kandidati për kryetar të Komunës së Vushtrrisë nga AAK-ja, Lutfi Bilalli, ka shpalosur programin e tij për qeverisjen e kësaj komune.
Kreu i AAK-së, njëherësh kryeministër i vendit, Ramush Haradinaj, tha se Vushtrria ka probleme në infrastrukturë, ujë të pijes e kanalizime.
“Kemi plot punë në infrastrukturë, kemi probleme me ujë të pijes, me kanalizime, por do t’i zgjedhim këto probleme”.
“Duhet të aftësojmë arsimin, për të krijuar vende pune; po veprojmë në shëndetësi”, shtoi Haradinaj.
Për kandidatin Lutfi Bilalli, tha se është një intelektual, i cili ka njohuri nga shkenca vendore e ndërkombëtare.
Më pas Lutfi Bilalli shpalosi programin e tij, duke folur për secilën nga pikat.
Në fushën e zhvillimit ekonomik, ai parasheh ngritjen e kapaciteteve prodhuese, nëpërmes projekte me partneritet publik-privat si dhe subvencione për ndërmarrje të vogla me nga 1 000 deri në 7 000 euro.
Bilalli paralajmëroi se do të ketë lehtësira në taksa komunale për të gjitha ndërmarrjet me veprimtari prodhuese.
Ai premtoi, po ashtu, krijimin e Zyrës për Investitorët e Huaj, si dhe dhënien e pronave komunale në shërbim të investitorëve.
Në arsim, Bilalli tha se do të punojë për rritjen e cilësisë, duke stimuluar arsimin profesional dhe pajisjen e shkollave me kabinete. Nëse e merr besimin e vushtrriasve, ai premton dhe zgjerimin e rrjetit parashkollor, rikthimin e pedagogut dhe mjekut nëpër shkolla, dhe terrene sportive për nxënësit.
Duke folur për shëndetësinë, Billali theksoi mungesën e qendrave të mjekësisë familjare në shumë fshatra; ndërsa premtoi dhe zhvillimin e shërbimeve sociale, përfshirë për viktimat e trafikut, viktimat e dhunës në familje etj.
“Do të kemi kujdes me familjet e dëshmove dhe veteranëve; së paku 5-10 shtëpi të ndërtohen për këto kategori”, tha ai.
Kandidati i AAK-së ka premtuar mbështetje edhe për fermerët e blegtorët. Mes tjerasj, ai përmendi donacionet për krijimin e dhomave frigoriferë.
Në mbrojtjen e mjedisit, ai ka dhënë një premtim të fortë: Brenda 10 muajsh, Vushtrria do të jetë qyteti më i pastër në Kosovë.