Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj ka folur para deputetëve të Kuvendit të Kosovës rreth rastit të Astrit Deharit, burgimin e Frashër Krasniqit dhe çështjen e demarkacionit.
Haradinaj tha se Vetëvendosje është dashur nga sulmi me granatahedhës që kishte ndodhur në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, duke nxitur reagimin e deputetëve të Vetëvendosjes.
“Pse nuk u distancua VV-ja gjatë diskutimit prej sulmit në Kuvend. Është dashtë me thanë se është sulm kriminal edhe me vazhdu hetimi”.
Haradinaj për rastin e Deharit është shprehur se “secili qytetar i Kosovës e do të vërtetën rreth vdekjes së tij”.
“Është dashur të ndahet buxheti dhe të bëhet hetimi për Astritin. Procesi për këtë ka përfundu dhe asnjë lidhje ekzekutivi nuk ka më me këtë temë. Prokuroria duhet t`i marrë masat dhe të përgjigjet. Nuk besoj se ka qytetarë në Kosovë që nuk e do të vërtetën për Astrit Deharin. Unë e kam njoft Astritin personalisht e edhe babën e tij, e edhe djalin që e kanë pasur më herët. Duhet t`i jepet versioni përfundimtar. Nëse është vra duhet të përgjigjet dikush”, ka thënë ai.
Ai ka folur edhe rreth burgimit të deputetit Frashër Krasniqit.
“Pajtohem se ndjenjë më të poshtër nuk ka se unë me fol këtu e Frashëri me qenë në burg”, ka thënë ai.
Për demarkacionin se duhet të gjendet një zgjidhje
Haradinaj ka thënë për demarkacionin se duhet të gjendet një zgjidhje dhe se duhet bashkuar forcat.
“Kolegët e mi, po iu them sinqerisht, nuk po dua të shitem patriot, por të gjithë që jemi këtu jemi për t`i dhënë drejtim temave për të cilat jemi lodhë me to. Presionin ndërkombëtar po e shihni për demarkacionin. Nuk do të heqim dorë për asnjë metër, por duhet t`i bashkojmë fuqitë për me i dhënë drejtim. Kërkush nuk po thotë me ia jep as Kullën as Qakorrin askujt, por një zgjidhje duhet të gjendet”, ka thënë ai.