Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, takoi sot ekipin organizativ të festivalit të rrushit dhe verës “Hardhfest”.
Në këtë takim, u diskutua për përgatitjet e deritanishme për edicionin e sivjetshëm të festivalit dhe risitë që do të ketë. U vlerësua fakti se hapësira ku organizohet festivali tashmë me investimet e MBPZHR-së dhe Komunës së Rahovecit, po rregullohet dhe punimet po shkojnë mirë.
Ministri Krasniqi konfirmoi se edhe këtë vit ministria do të vazhdojë të mbështesë organizimin e festivalit, i cili tashmë ka arritur të masivizohet dhe të bëhet një prej festivaleve më të rëndësishme në vend, dhe një destinacion për shumë të huaj.
Nga ana tjetër, organizatorët e festivalit falënderuan ministrinë për mbështetjen dhe informuan për përgatitjet që po bëjnë që ky edicion të jetë edhe më masiv dhe më sa më shumë aktivitete promovuese për verën dhe rrushin. Këtë vit, sipas tyre, një aspekt i rëndësishëm do t’i kushtohet promovimit të turizmit. Kjo do të bëhet duke organizuar, gjatë gjithë festivalit, ekspedita nëpër vreshta.
Hardhfest këtë vit fillon me 7 shtator dhe do të zgjasë deri më datë 10 shtator.