Stefan Thomas, një programer gjerman që jeton në San Francisco, ka vetëm edhe dy tentime për ta gjetur fjalëkalimin që ka vlerë, në këtë kohë, rreth 220 milionë dollarë, shkruan NYT.
Fjalëkalimi do ta ndihmojë atë të futet në IronKey, që përmban çelësat privatë për një kuletë digjitale që përmban 7002 Bitcoina.
Derisa çmimi i Bitcoinit ka rënë dukshëm në fillim të javës, prapë është 50 për qind më e lartë se që ishte një muaj më parë, kur për herë të parë kaloi shifrën e 20 mijë dollarëve.
Problemi është se Thomas disa vjet më parë kishte humbur një letër ku kishte shënuar fjalëkalimin për IronKey, që i jep përdoruesve dhjetë tentime për të siguruar qasje. Ai ka tentuar tetë herë, duke provuar fjalëkalimet që i përdor më së shpeshti.
“Unë thjesht shtrihem në shtrat dhe mendoj për këtë. Më pas futem në kompjuter me një strategji të re dhe nuk funksion dhe jam i dëshpëruar”, thotë Thomas.
Bitcoini i ka bërë shumë pronarë shumë të pasur për një periudhë të shkurtër kohore, edhe pse pandemia e koronavirusit ka goditur ekonominë nëpër botë.
Mirëpo, marrë parasysh natyrën e pazakontë të kriptovalutave dhe po ashtu kuletat digjitale ku duhet të mbahen ato, shumë persona kanë humbur ato duke harruar fjalëkalimet.
Kanë shikuar të pashpresë ndërsa vlera e kriptovalutës është rritur.
Nga 18.5 milionë Bitcoina sa ekzistojnë, rreth 20 për qind – aktualisht me vlerë 140 miliardë dollarë – duket se janë humbur nëpër kuleta, sipas firmës Chainalysis.
Wallet Recovery Services, biznes që ndihmon për të gjetur çelësat digjitalë, thotë se merr rreth 70 kërkesa në ditë nga njerëzit që duan ndihmë.
Shumë pronarë të Bitcoinëve, që i kanë harruar fjalëkalimet, i kanë Bitcoinët nga koha e hershme një dekadë më parë, kur nuk kishin besim se këto do të kishin vlerë.
“Gjatë vjetëve më duhet të them se kam kaluar me qindra orë duke tentuar të futem në kuleta digjitale”, thotë Brad Yasar, një sipërmarrës në Los Angeles, që ka disa kompjuterë që përmbajnë me mijëra Bitcoina.
Ndërsa ato Bitcoina tash kanë vlerë me qindra miliona dollarë, ai ka humbur fjalëkalimet, kështu që hard-diskët e kompjuterëve i ka futur në qese të vakumit.
Programeri Thomas, thotë se ishte joshur nga Bitcoini pjesërisht pasi ishte jashtë kontrollit të një shteti apo kompanie. Në vitin 2011, kur ai po jetonte në Zvicër, mori 7002 Bitcoin, nga një fanatik i hershëm i Botcoinit si shpërblim se bëri një video të animuar, “Çfarë është Bitcoini?”, që prezantoi njerëzit me teknologjinë.
Atë vit humbi çelësat digjital për të siguruar qasje në kuletën ku i ka Bitcoinët. Por shumë tjerë kanë humbur ngjashëm.
Gabriel Abed 34-vjeçar, një sipërmarrës nga Barbadosi, kishte humbur rreth 800 Bitcoina, tash me vlerë 25 milionë dollarë, kur një kolegë i tij formatizoi laptopin ku I kishte çelësat për të siguruar qasje në kuletë. Ajo kishte ndodhur në vitin 2011. Por ato ishin një pjesë e vogël e sasisë së Bitcoinave që ka blerë e ka shitur që nga atëherë. Ai së fundi ka blerë një tokë 100 akër në Barbados për 25milionë dollarë.