Grupi për Mbrojtjen e Liqenit të Badocit, pjesë e të cilit është dhe “Let’s do it Kosova”, kërkon të anulohet projekti për ndërtimin e një lagjeje afër Liqenit të Badocit, në të kundërtën paralajmërojnë protesta e masa ligjore.
Kështu bëri të ditur Drejtori Ekzekutiv i Organizatës “Let’s Do It Kosova”, Luan Hasanaj, në një deklaratë për Ekonomia Online, gjatë një aksioni për pastrimin e liqenit, organizuar sot nga Grupi për Mbrojtjen e Liqenit të Badocit.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) tashmë ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës që t’i anulojë kushtet për ndërtimin e lagjes në afërsi të liqenit të Badocit.
Hasanaj ka bërë apel nga qytetarët që të vetëdijesohen dhe të mos e ndotin ambientin nga i cili e gjithë Prishtina furnizohet me ujë të pijshëm.
“Ne sot me vullnetarët tonë jemi bashkuar për ta mbrojtur Badocin. Së bashku me një numër vullnetarësh të “Let’s Do It” dhe shumë të tjerë, sot po i largojmë shumë mbeturina. Janë mbeturina që janë lërë nga vetë qytetarët, po vazhdon një lloj moskujdesi. Bëj apel nga ata që t’i ruajnë këto hapësira. E tërë Prishtina furnizohet me ujë të pijshëm”, ka thënë Hasanaj duke shtuar se i kanë paraparë të gjitha masat për mosndërtimin e kësaj lagjeje.
“Është gabim i madh projekti nga kompania dhe shpresoj që mos të ndodhë ajo, dhe të ndalohet. Ndërtimi këtu e rrezikon ujin e pijes, rrezikon edhe vet mjedisin. “Let’s Do It Kosova” është pjesë e këtij grupi me mbi 27 mijë njerëz që janë bërë bashkë në këtë grup. Janë paraparë të gjitha masat qoftë ligjore e deri të reagimi i qytetarit”, thotë ai.
Hasanaj shpreson që ai projekt do të anulohet, por nëse një gjë e tillë nuk ndodhë, ai thotë se do të ketë veprime konkrete nga ata, duke mos përjashtuar as edhe protestat.
“Ne kemi pasur një lloj debati me Ministrinë e Mjedisit dhe vet Komunës së Prishtinës sa i përket lejes për ndërtimin në këtë lokacion. Ne e shohim Komunën e Prishtinës që thotë se është detyruar nga ministria, por që Ministria ka kërkuar që t’i anuloj ato kushte dhe shpresojmë që do t’i anuloj. Ditën e martë është paraparë një takim me asamblenë për ta diskutuar këtë problematik. Ndërtimi në këtë zonë nuk do të bëhet”
“Ne do të ndërmarrim edhe veprime ligjore. Ka shumë organizata profesionale që merren me implementimin e ligjit dhe janë të gatshme të bëjnë edhe padi kundër ndërtimit këtu. Do t’i mobilizojmë qytetarët për problemin që mund të shkaktohet nga ndërtimi i kësaj lagjeje, do të ketë veprime të ndryshme dhe peticione pa përjashtuar edhe protesta që mos të ndërtohet kjo lagje”, u shpreh Hasanaj për EO.