Në kundër të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” u diskutua për politikat mjedisore dhe sfidat në zbatimin e tyre derisa u bë edhe prezantimi i raportit gjashtë mujor lidhur me numrin e gjobave mandatore të shqiptuara nga inspektorati, raporton Ekonomia Online.
Valton Karagjiu nga “Let’s Do It Kosova”, ka kritikuar institucionet për moskoordinim dhe në disa raste për mosbashkëpunim në publikim e të dhënave për numrin e gjobave të shpërndara.
“Si organizatë synojmë ta shtyjmë këtë punë deri në 5 ose 10 vjet në bashkëpunim më ministritë dhe komunat në mënyrë që të kontribuojmë në mjedis më të mirë. Jemi në një situatë pak ma të mirë kur dimë çka po ndodh, kam pasë rast që një inspektor ka thënë këto të dhëna janë sekrete nuk mundeni me i marr, por të tjerët kanë qenë shumë bashkëpunues” tha Karagjiu.
Luan Hasanaj, drejtor i organizatës “Let’s Do It Kosova”, tha se si organizatë kanë për qëllim që tu dalin në ndihmë institucioneve dhe jo që institucionet t’i qesin keq para publikut.
“Me fajin e vet organizatat mundohen me dal prej rolit që e kanë, në rastin që e përmendi Valtoni ku inspektori s’ka dashtë me i dhanë të dhënat për gjobat, ne si organizata duhet të shihemi si ndihmës të institucioneve. Sa ma shumë që e promovojmë punën për gjobat e shqiptuara, ka me u rrit vetëdija për gjobat e shqiptuara, po e them me përgjegjësi që ne nuk mundohemi me i qit keq institucionet, ne mundohemi t’ju ndihmojmë, kemi vërejtje, por jo me i qit keq institucionet. Roli i ynë është ndihmë në punën e inspektorëve dhe policisë që kanë të bëjnë me ndëshkimin për gjobat”, ka thënë Hasanaj, raporton EO.
Ai ka prezantuar edhe rezultatet e hulumtimit prej 26 komunave.
“Në gjithë Kosovën janë 81 inspektorë mjedisorë dhe 60 është numri i personave të autorizuar për të shpërndarë gjoba mandatore. Në gjithë Kosovën janë raportuar 1465 deponi ilegale, kurse nga komunat janë shpërndarë 718 gjoba mandatore.
Leotrim Sahiti, këshilltarë i ministrit të MMHP-së, ka thënë se ministria ka miratuar kornizë ligjore, por sfidë mbetet zbatimi i saj dhe numri i inspektorëve, por sipas tij komunat duhet ta dinë që menaxhimi i mbeturinave është në përgjegjësinë e tyre.
“Inspektorët komunal duhet të jenë shumë më shumë aktiv, shqetësuese që komunat nuk kanë inspektorë për zbatimin e këtij udhëzimi. Gara mjedisore përmes grandit të performancës 7 milionë euro bashkë më GIZ-in gjerman dhe komunat që duan të marrin grande nga ky fond duhet të zbatojnë udhëzimin për gjobat mandatore. Qëllimi ynë nuk është që të shpërndajmë gjoba, por vetëdijesimi dhe nuk vjen pa gjoba”, tha Sahiti.
Udhëzimi administrativ i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor u jep mundësi që përveç inspektorëve komunal dhe atyre të ministrisë edhe policia të shqiptoj gjoba.