Bajram Hasani, anëtarë i kryesisë së Nisma për Kosovën ka vlerësuar se askush nuk ka të drejtë të të keqpërdorë paratē e kontributdhënësve.
Kjo deklaratë e Hasanit vjen pas publikimit të lajmit se rreth nëntë milionë euro të deponuara në Trustin e Kursimeve të Kosovës – por të cilat nuk kanë pronarë – pritet që me ligjin e ri të barten në Buxhetin e Kosovës.
Ai përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka shprehur shqetësimin e tij dhe ka vlerësuar se kjo është e padrejtë për kontributdhënësit.
Ja postimi i plotë i tij:
Konsideroj se është shqetësuese dhe e padrejtë që kursimet e kontributdhënësve të Kosovës të barten në buxhetin e Qeverisë. Qeveria që në fillim është dashur që të shqyrtojë mirë ndarjen e buxhetit e jo në fund të vitit të rrezikojë mundin dhe djersën e punëtorëve të vendit.
Këto nëntë milion janë para të paguara nga subjektet për punëtorë, dhe listat e punëtorëve nga firmat që kanë shkuar deri në qershor 2012 të cilat firmat kanë qenë të obliguara që çdo 3 muaj të bëjnë listimin e emrave të punëtorëve të cilëve u janë paguar kontributet dhe të dërgohen në ATK. Ka raste kur me kontroll janë obliguar firmat të paguajnë, por nuk i kanë obliguar që të precizojnë emrat. Këto do të thotë janë të paguara nga firmat por nuk e kanë caktuar emrin e kontributdhënësit.
Propozimi që këto mjete të kthehen si të hyra të ATK-së apo cfarëdo veprimi tjetër është shkelje e rëndë dhe mohim i të drejtave të kontributdhënësit duke e ditur se në shumën e grumbulluar, 50 % e shumës është kontribut i punëtorëve dhe 50 % kontribut i firmës për punëtor.
Ne kërkojmë që t’i jepet mundësia edhe njëherë që këto të verifikohen dhe të shpërndahen në llogaritë e kontributdhënësve.
Kontributi i punëtorëve nuk duhet të keqpërdoret për asnjë arsye, as Qeveria dhe askush tjetër nuk ka të drejtë të luaj me paratë e punëtorit edhe ashtu të varfër të vendit tonë.