Janë mbledhur mësues nga e gjithë Kosova në Prishtinë që të festojnë Ditën Ndërkombëtarë të Mësuesit. E gjithë bota përmban 32 milionë individë të cilët kanë vullnetin e tyre të mirë të bartin pas vetes emrin mësimdhënës.
Shqiptarët përveç kësaj dite ndërkombëtare kanë, 7 Marsin që e festojnë si Ditën e Mësuesit.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës në Kosovë (SBAShK) kanë organizuar një aktivitet në shënimin e pesë tetorit, si dita e mësuesit.
I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, i cili tha që përkujdesja ndaj mësuesit është përkujdesja ndaj shtetit.
“Mësimdhënësit në Kosovë kanë nevojë për një trajtim më të mirë. Përkujdesja ndaj mësuesve është përkujdesje ndaj shtetit… Pranimi i Kosovës në UNESCO është pranim i realitetit”, ka thënë Bajrami.
Deputeti Nait Hasani, në cilësinë e kryetarit të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, në Kuvendin e Kosovës, tha që institucionet edukativo arsimore në Kosovë kanë më shumë nevojë për cilësi.
“Institucionet e Kosovës kanë nevojë më shumë për cilësi. Jemi që t’i japim mundësi të gjithë atyre prindërve që investojnë në mësimin e fëmijëve të tyre, në mënyrë që shteti të ngritet në arsim. Nëse nuk i japim rëndësi cilësisë shteti jonë do të shkoj drejt falimentimit. Cilësia në arsim mungon”, kështu tha Hasani.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë që puna e mësuesit është ndër më të rëndësishmet. Ai e ka cilësuar se mësuesi i mirë është edukim i shoqërisë.
“Duhet nisur një fushatë e madhe lobimi për pranimin e shtetit të Kosovës në UNESCO. Të gjitha shtetet e botës të votojnë një zëri për pranimin e Kosovës në UNESCO…”, ka thënë ai
Kjo ditë njëherësh shënohet edhe si 50 vjetori i rekomandimeve për ILO/UNESCO për statusin e mësimdhënëse.