SBAShK: Oj Qeveri pagat nuk kanë lëvizur me vite e çmimet po ngriten çdo ditë

Prishtinë | 09 Mar 2022 | 14:29 | Nga Ekonomia Online

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBAShK) përmes një komunikate për media ka thënë se Qeveria e Kosovës edhe tani kur çmimet e artikujve elementar vazhdojnë të shënojnë rritje duke e dobësuar shumë fuqinë blerëse të pagave që aktualisht marrin pjesa më e madhe e të punësuarve në sektorin e arsimit, por edhe në sektorë të tjerë, vazhdon me avazin e vjetër duke fajësuar të tjerët në Kosovë, apo situatat e krizës a në tregjet ndërkombëtare.

“Në situatën, që sa vjen e vështirësohet, familjet që nuk kanë as edhe një të punësuar dhe ato me paga të ulëta po ngulfatën duke u zhytur në varfëri e skamje ekstreme, por me këto ngritje marramendëse e të përditshme të çmimeve edhe familjet që kishin paga pak më të larta kanë nisur të rrëshqasin drejt varfërisë e skamjes. Qeveria vazhdon me vlerësimet e me deklaratat pa bërë as edhe një veprim konkret për të ndihmuar punëtorët e arsimit dhe gjithë të tjerët në përballje me situatën tepër të rënduar nga gjithë këto ngritje të çmimeve të artikujve elementar jetësor”.

Në njoftim thuhet se SBASHK i është drejtuar Ministres Nagavci që ajo ta ngrit në Qeveri dhe të aprovohet kërkesa e SBASHK-ut që nga muaji prill një shtesë prej 100 euro mbi pagat aktuale për të gjithë të punësuarit në sistemin arsimor dhe në shkencë e kulturë dhe kjo të vlej deri në kohën kur Ligji i pagave, pas dakordimit e marrëveshjes me SBASHK-un dhe sindikatat tjera të aprovohet dhe të nis së zbatuari.

“Kjo nuk ka ndodhur ende dhe prandaj pakënaqësitë në tërë sektorin e arsimit e të kulturës sa vijnë e shtohen dhe këto mund të rezultojnë së shpejti edhe me veprime sindikale, pa përjashtuar edhe grevat.

“SBASHK-u thërret: \Oj Qeveri pagat nuk kanë lëvizur me vite e çmimet ngritën çdo ditë'”, përfundon komunikata e kësaj sindikate.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme