Është mbajtur debati në kuadër të projektit “Fuqizimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut te përdoruesit e drogave në Kosovë”, raporton Ekonomia Online.
Safet Blakaj nga OJQ “Labyrinth” tha se të varurit nga droga kanë filluar të mendojnë se nëse dikush ua shkel të drejtat e pranojnë me faktin që janë të varur nga droga dhe e meritojnë.
“Kemi ardhur në disa përfundime tek përdoruesit e drogave dhe ofrimet e shërbimeve shëndetësore, përdoruesit e drogës me kohë janë stigmatizu edhe nëse dikush ua shkel të drejtat të varurit nga droga po thonë që është në rregull sepse janë përdorues drogash”, tha ai.
Blakaj tha se të varurit nga droga nuk janë duke marrë shërbimet shëndetësore adekuate.
“Kërkojmë shërbime më miqësore dhe me të veçanta për përdoruesit e drogës”, tha ai.
“Deri tani në vitet e fundit kemi konsideruar se përdorimi i drogave në Kosovë është problematik, shqetësues por jo alarmant, kategoritë që janë më të prekur janë të rinjtë, në vitin 2007 sipas statistikave fillimi i përdorimit të drogave për herë të parë janë 21.2, 2018 16.4 vjeç”, tha ai.
“Këtë vit stafi ynë ka qenë prezent sepse kemi pa disa persona të komunitetit RAE për shkak te numrit të madh dhe moshës së vogël që janë të varur, disa nga ta mundemi me i pa në rrugë që janë lypsarë dhe kështu i sigurojnë dozat e tyre”, shtoi Blakaj.
Ai tha se heroina tashmë ka rënë në nivel përdorimi, por është shtuar përdorimi i marihuanës dhe kokainës.
Kreu i Task Forcës Kundër Drograve dhe Sigurisë në Shkolla, Avdullah Hasani, tha se Qeveria e Kosovës nga viti i kaluar ka kërkuar nga organet e sigurisë dhe sistemit arsimor të marrin preventiva për dukuritë e drogave.
“Qeveria ka themeluar Task Forcën e nivelit të lartë kundër Drogës dhe Sigurisë në Shkolla, institucionet e Kosovës deri tani nuk e kanë pasur një fushatë kundër dukurive të tilla. Në kuadër të kësaj fushate jemi në fazën e përfundimit të një programi kundër narkotikëve në shkolla e cila është e nivelit të lartë sepse është konstatuar se ka ngecje në bashkërendim të rregulloreve, nuk ka pasë ndonjë fushatë kombëtare për sensibilizimin e të rinjve, prindërve, kundër narkotikëve dhe nuk u jemi bashkuar vendeve të BE-së me fushatë siç e kemi merituar”, tha Hasani, raporton Ekonomia Online.
Ai fajësoi prindërit që nuk u kanë qëndruar afër fëmijëve të tyre për t’i parandaluar që të marrin hapa të tillë drejtë përdorimit të narkotikëve.
“Kreativiteti i fushatave është dashur të ngritët në nivel tjetër siç është tani Task Forca, nuk ka pasur trajnim të mësimdhënësve dhe prindërve”, shtoi ai.
“Fushata shtetërore antinarkotikë dhe sigurisë në shkolla është në fazën finale por për shkak të zgjedhjeve kemi disa problematika, kjo fushatë sensibilizuese do të shoqërohet me fuqinë e ligjit me njerëzit qe nuk i kryejnë detyrat e tyre kundër përdorimit të narkotikëve”, shtoi Hasani.
Milazim Gjocaj nga Departamenti i Shëndetit në Burgje tha se ka shumë faktor që ndikojnë që të rinjtë dhe qytetarët të bëhen përdorues të narkotikëve.
“Baza e gjithë kësaj është familja dhe ajo se sa e stigmatizojmë e sa familja është e hapur t’i trajtoj rastet dhe jo t’i fsheh ato”, tha Gjocaj.