Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani ka paralajmëruar se nga e hëna inspektorët e kësaj ministrie do të fillojnë zbatimin e një plani rigoroz për konfiskimin e lodrave me rrezikshmëri të lartë edhe në tregun e brendshëm. Po ashtu ministri Hasani ka paralajmëruar se shumë shpejt do të bëhet edhe asgjësimi i këtyre lodrave të rrezikshme që nga konfiskuar.
Këtë ai e ka bërë të ditur përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Faceboook.
Ky është postimi i plotë i ministrit Hasani:
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë që nga marrja e analizave të lodrave që kanë rezultuar të rrezikshme është shumë e shqetësuar . Pas ndalesës që i kemi bërë importimit të lodrave të tregut aziatik (Kina) që nuk i plotësojnë kriteret dhe janë me rrezik të lartë, inspektorët tanë nga e hëna do të fillojnë zbatimin e një plani operativ rigoroz për konfiskimin e këtyre lodrave edhe në tregun e brendshëm.
Po ashtu, jemi duke e pritur edhe lejen e Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit që ta bëjmë asgjësimin e të gjitha lodrave të konfiskuara.
Për të gjithë hapat që do të marrim do të ju njoftojmë në ditët në vazhdim.