Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, në Ditën Botërore të Metrologjisë, ka thënë se metrologjia është ndër shtyllat kryesore të MTI-së për shkak të punëve që i kryen.
Hasani në një konferencë që është organizuar nga MTI-ja për Ditën Botërore të Metrologjisë ka theksuar se që nga fillimi i punës së tij si ministër i ka kushtuar rëndësi të madhe metrologjisë.
“Jemi shumë të vendosur që metrologjia ta luaj rolin e vetë, sepse është një prej shtyllave kryesore për shkak të matjeve, kalibrimeve dhe rëndësisë që ka dhe gjithnjë metrologjia, akreditimi dhe standardizimi kanë nevojë për mbështetje më të fuqishme, dhe jemi të përkushtuar që ta përafrojmë dhe harmonizojmë legjislacionin tonë me atë të Bashkimit Evropian, që të krijohet një infrastrukturë e cilësisë sa më e mirë, që bizneset tona të jenë konkurrente edhe në tregjet e huaja”, tha Hasani.
Hasani ka bërë të ditur se Ligji për këtë agjenci ka hyrë në fuqi që parasheh 35 udhëzime administrative dhe sipas tij, janë duke u kryer punë konkrete.
“Ligji për meteorologji ka hyr në fuqi javën e kaluar dhe parasheh diku 35 udhëzime administrative dhe besojmë shumë shpejt do të formohen grupet punuese. Ne jemi të vendosur që këto t’i shtyjmë përpara dhe ligji të jetë sa më funksional. Falënderojmë edhe Komisionin Evropian që na ka ndihmuar shumë në fushën e meteorologjisë me asistent teknike, atë të akreditimit por edhe standardizimin. Po presim tash të kemi punë konkrete edhe me një projekt të Bankës Botërore që ka filluar dhe shumë shpejt do të nisin investimet në laboratorët përkatës. Është një vlerë prej 14.3 milionë dollarë dhe një pjesë e kësaj shume do të shkojë për meteorologji. Kjo tregon se i kemi kushtuar shumë rëndësi metrologjisë, sepse është një fushë kryesore e cilësisë”, ka thënë Hasani gjatë konferencës.
Ministri theksoi se sistemi metrologjik i Kosovës është pjesë e infrastrukturës kombëtare teknike të cilësisë.
“Cilësia e shërbimeve metrologjike të konfirmuara me anë të akreditimit është baza për cilësinë e produkteve dhe shërbimeve kosovare. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Agjencia e Metrologjisë së Kosovës me politikat e tyre dhe objektivat e ndërtimit të sistemit metrologjisë, synojnë që të sigurojnë shërbime metrologjike sa më profesionale e cilësore, në kuadër të laboratoreve ekzistuese të cilët janë nën menaxhimin e AMK-së”, tha Hasani.