Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, profesori universitar Enver Hasani, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se për formimin e institucioneve të reja të Kosovës duhet të ndiqet rruga e njëjtë, bazuar në Kushtetutë dhe udhëzimet e Gjykatës Kushtetuese, të dhëna në rastin VLAN në vitin 2014.
Çdo rrugë tjetër sipas Hasani, shpie në kaos e anarki. Në këtë intervistë Hasani ka thënë se presidenti nuk ka mandat që të ndajë mandate dhe as të drejtë që të kërkojë edhe një herë mendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Unë mendoj që nuk ka rrugë tjetër veçse rrugës kushtetuese se si është përcaktuar nga Kushtetuta dhe siç e ka interpretuar Gjykata Kushtetuese në rastin VLAN sepse, çdo rrugë tjetër çon në kaos dhe anarki. Do të thotë duhet të ndiqet ajo rrugë që është ndjekur me formimin e institucioneve deri këtu çdo herë”, tha Hasani për Ekonomia Online.
Hasani ka thënë se nuk dëshiron t’i komentojë veprimet e partive të tjera, por ka thënë se presidenti nuk ka mandat që të ndajë mandate për formimin e Qeverisë.
“Ato janë procese politike që unë nuk mund t’i komentojë, ajo çka unë mund të them është se presidenti nuk ka mandat që të ndajë mandate për formim të qeverisë. Ai duhet t’i ndjek procedurat kushtetuese, e procedurat kushtetuese thonë se një herë duhet të ezaurojë në tërësi me fituesin e zgjedhjeve çdo mundësi për formim të qeverisë, duhet të shikojë të merret vesh një herë të merr përgjigjen e saktë, të pa dykuptimë prej VV-së si fitues i zgjedhjeve dhe vetëm pas kësaj mund dhe duhet të nisin konsultimet kur VV-ja të jap përgjigje. Ajo mund të heq dorë, d.m.th nuk do, mund të hyjë kandidati dhe të dështojë në formimin e qeverisë dhe rrethanat e tjera që mund të kalojë në fazën e dytë ose të partia tjetër, jo partia e dytë, vetëm atëherë kur janë plotësuar kriteret mbizotëruese. Kritere mbizotëruese janë këto: Nuk mund të ketë konsultime dhe nuk mund të zhvillohen konsultime me të tjerët pa e qartësuar mirë çështjen e VV-në”, tha Hasani për Ekonomia Online.
Sipas tij, nëse nuk ndiqet kjo rrugë dhe bazohen në shumica parlamentare që bazohen në konjukturat e momentit duke anashkaluar procesin zgjedhor në një sistem proporcional çfarë e kemi ne i humb kuptimi i zgjedhjeve dhe votës së lirë.
“Ajo është çështje e tij politike por në shumicën e kushtetutave të sistemeve parlamentare çfare jemi nuk ka afate se kur duhet. Nuk është vetëm Kosova, ajo supozon kanë lojalitet ndërmjet veti, respektojnë kushtetutën, ligjet dhe këto probleme nuk kanë shpjegime kushtetuese. Ngërçi është problem politik, nuk është kushtetues”, tha ai.
Hasani ka thënë se partitë duhet të kenë më shumë tolerancë dhe t’i heqin vijat e kuqe. Sipas tij, nuk duhet të intensifikohet konflikti edhe më shumë sepse mund të prodhojë procese politike që janë të pazgjidhshme.
“Nuk është faji te kushtetuta por te natyra e politikës që bëhet në Kosovë dhe ajo natyrë deri sot ka qenë përjashtuese dhe tash e tutje nuk do të ketë vija të kuqe shumë. Sepse vijat e kuqe i kanë prodhuar vijat e kuqe. E para unë mendoj që duhet deri në fund sundimi i ligjit dhe të ndiqen rrugët saktë të ditura me kushtetutë. Duhet të ketë më shuam tolerancë dhe të vihen vija të kuqe që të baltosen njerëzit edhe me ose pa të drejtë, nuk du ta fajësoj askënd. Nuk duhet të intensifikohet konflikti edhe më shumë. Sepse mund të prodhojë procese politike që janë të pazgjidhshme që mund të çojnë në violentë”, ka thënë ai.
Sipas tij, presidenti nuk ka të drejtë të kërkojë edhe njëherë interpretimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Jo nuk ka. Jo nuk ka të drejtë”, tha Hasani për Ekonomia Online.