Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, duke iu përgjigjur deklaratës së presidentit Hashim Thaçi se ai tashmë e ka nënshkruar nominimin e emrit për kryeministër nga partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, ndonëse kjo parti nuk i ka dërguar ende emrin për mandatar, ashtu siç e kërkon Kushtetuta dhe aktgjykimi i vitit 2014, ka thënë se sjellja e presidentit është një lloj “huliganizmi i sofistikuar institucional”.
Në një përgjigje për “Kohën Ditore”, Hasani ka thënë se Presidenti Thaçi, me këtë qasje, synon ushtrim presioni në partitë politike me qëllim të diktimit të një lloji të caktuar të zgjidhjes politike.
“Kjo mënyrë e sjelljes së Presidentit të Republikës paraqet një lloj të sofistikuar të huliganizmit institucional që mëton ushtrim presioni në partitë politike me qëllim të diktimit të një lloji të caktuar të zgjidhjes politike. Kjo është tërësisht e papranueshme në aspektin kushtetues”, ka thënë Hasani.
Presidenti Thaçi, gjatë një konference të sotme me ish-ambasadorin amerikan të OSBE-së, William Walker, tha se e ka nënshkruar emrin e Kurtit për mandatar të qeverisë, ndonëse partia e këtij të fundit nuk e ka dërguar emrin për mandatar. Ai tha se këtë e ka bërë pasi që, siç u shpreh, “kaloi një kohë e gjatë dhe njerëzit janë duke pritur, si qytetarët ashtu edhe partnerët ndërkombëtarë”.
“Unë si president i vendit, duke i parë angazhimet e kryetarit të partisë së parë, duke menduar që do ta pranojë mandatarin, e kam nënshkruar nomonimin e Kurtit si kandidat për kryeministër. Ai nënshkrim është në tavolinën time dhe shpresoj që kjo nuk do të marrë kohë. Në rrethana të tjera, ai duhet ta deklarojë refuzimin”, ka thënë.
Por, sipas ish-kreut të kushtetueses, roli i Presidentit të Republikës në këtë fazë dhe në të gjitha fazat tjera të procesit të formimit të qeverisë “është rol pasiv, neutral në tërësi ndaj proceseve e dinamikave politike që zhvillohen rreth formimit të organeve qendrore të pushtetit të dala nga vullnetit i votës së lirë të qytetarit të Kosovës”.
Presidenti, sipas tij, nuk përfaqëson unitetin politik të popullit por unitetin kushtetues dhe institucional, gjë që nënkupton se “Presidenti duhet t’i lejojë përfaqësuesit e votës së lirë që vet të zgjidhin problemet politike sipas Kushtetutës”.
Njohësi i çështjeve kushtetuese thotë se nëse partia fituese e zgjedhjeve, në këtë rast VV, e vonon nominimin e mandatarit për qeveri, presidenti mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për interpretim të kësaj rrethane, por thotë se “e humb rastin sepse nuk ka të drejtë, as në aspektin formal – procedural e as në aspektin e të drejtës materiale kushtetuese”.
“Në aspektin formal, ka kohë që Gjykata Kushtetuese ka abdikuar nga e drejta për të pranuar si palë të autorizuar institucionet shtetërore qendrore jashtë kontekstit të nenit 113 të Kushtetutës. Në aspektin material, ndërkaq, nuk mund të ketë një interpretim tjetër kushtetues veç atij të dhënë në vitin 2014 në rastin e njohur si VLAN I dhe VLAN II. Kjo është kështu sepse në atë kohë Gjykata Kushtetuese nuk ka krijuar normë të re por ka interpretuar normën ekzistuese, e cila akoma gjendet në Kushtetutë. Vendimet e Gjykatës në këtë rast janë përgjigjur në dy pyetje: e para, çka nënkuptohet me fitues të zgjedhjeve; dhe, e dyta, çka nënkuptohet me procedurën e njëjtë në raundin e dytë të zgjedhjes së kryeministrit”, thotë Hasani, ndërsa sqaron dy pyetjet:
“Për pyetjen e parë ne kemi konstatuar me plot të drejtë se fitues i zgjedhjeve për qëllimet e fitimit të së drejtës procedurale për të udhëhequr vallen e formimit të institucioneve të reja është vetëm ajo parti apo ai koalicion që ka shumicën relative të votave, kurse si procedurë e njëjtë në rastin e dytë kemi konstatuar se është ajo procedurë që është fare e njëjtë por me kandidatin tjetër. Këtu kemi shtuar se ai/ajo kandidat tjetër për kryeministër mund të jetë edhe nga partitë tjera që kanë kaluar pragun, por me dy kushte: e para, që partia fituese nuk guxon dhe nuk mund të përjashtohet nga gara; dhe e dyta, që partitë politike dhe koalicionet që kanë kaluar pragun të japin pëlqimin për një gjë të tillë”.
Siç thotë Hasani, këto dy kushte janë thelbësore për të kuptuar diskrecionin që Gjykata ia ka njohur Presidentit në rastin e dytë, pra që procedura në tërësi është e njëjtë dhe, siç e ka shprehur Gjykata, diskrecioni duhet të zhvillohet brenda kritereve mbizotëruese. Këto dy si më sipër, thotë Hasani, janë kriteret kyçe mbizotëruese.
“Vlerësimi i Presidentit nëse janë plotësuar kushtet mbizotëruese është zero sepse ai/ajo nuk ka asnjë prerogativë për t’i vlerësuar nëse janë plotësuar kriteret mbizotëruese krye në vete. Kjo sepse diskrecioni është kategori juridik-kushtetuese dhe jo politike që lejon arbitraritet që varet nga vullneti i një individi. Shefi i Shtetit, në një demokraci kushtetuese parlamentare, siç është Kosova, asnjëherë nuk është në pozitë institucionale dhe tjetër për të bërë vlerësime politike që diktojnë vullnetin politik të votuesit, sepse ajo u takon partive politike dhe asnjë institucioni tjetër që nuk është pushtet”, thekson ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese.
Në fund, ai thotë se “Presidenti Republikës nuk është pushtet, ai/ajo është njëri ndër mekanizmat kushtetues balancues i tri pushteteve të tjera: legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit”.