Koordinatori Nacional për Gjeneratën e Re, Avdullah Hasani ka shprehur si shqetësim mos liberalizimin e vizave, sipas tij, kjo mbetet sfidë edhe për gjeneratën e re të Republikës së Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Hasani shtoi se Kosova ka plotësuar më shumë se çdo vend tjetër i rajonit sa i përket liberalizimit të vizave.
“Të rinjtë dhe të rejat tona janë të shkolluar dhe janë konkurrent me bashkëmoshatarët e tyre Evropiane. Liberalizimi i vizave ka qenë dhe është sfidë edhe për qeverinë aktuale edhe të kaluara, por është sfidë edhe për gjeneratën tonë. sepse vetëm me gjeneratën tonë dhe bashkëpunim të synojmë ta integrojmë në Bashkimin Evropian sipas kërkesave të tyre. Ajo është e siguritë që janë përmbushur kërkesat për liberalizimin e vizave, ju garantoj që kemi pasur shumë fish kërkesa për dallim nga vendet e rajonit”, tha Hasani.
Këto komente Hasani i bëri para të rinjve, ku ka treguar për të arriturat dhe angazhimet e Qeverisë për planin nacional për të rinjtë.
Programin Nacional për Rininë, sipas Hasanit, është i pari në Kosovë.
Koordinatori Nacional për Gjeneratën e Re shton se synim i qeverisjes është avancimi i të rinjve, kjo sipas tij është bërë nga të gjitha ministritë që janë në Qeverinë e Kosovës.
Sipas Hasanit, kudo nëpër institucionet e Kosovës, janë të punësuar të rinjtë, kjo bën që gjenerata e re të jetë pjesë e vendimmarrjes politike, po ashtu sipas tij, me gjeneratën e re në institucione po përmbushen kërkesat ndërkombëtare edhe ato emocionale.
“Është e veçanta e kohës që ministria e Inovacionit po sjellë dhe prodhojë inovatorë të rinj. Kosova përmes Ministrisë së Inovacionit ka hyrë edhe në tregun global të teknologjisë që të ofrojë të rinj inovatorë nga Kosovë. Asnjë qeveri e kaluar nuk ka pasur kaq shumë të ri në institucione por edhe në komuna përmes asambleve komunale. Ne duhet të tregojmë se çka dimë të bëjmë më mirë si para shumë vitesh. Edukimi të rinjve po i hap rrugë Kosovë sepse deri më tani në organizma të ndryshëm i kemi pasur të mbyllura”, u shpreh Hasani.
Por sipas Hasanit, kërkesa për avancimin e gjeneratës së re të Kosovës, nuk duhet të jetë luftë mes gjeneratash, por bashkëpunim.
“Kërkesa për avancimin e gjeneratës së re, juve shkollarëve të rinj nuk duhet të jetë si luftë mes gjeneratave por edhe politikanët më të vjetër në moshë edhe prindërit tanë duhet ta shohim se vetëm me bashkëpunimin e gjeneratës së re është shkëmbim mes kreativitetit të të rinjve dhe përvojës së gjeneratës më të vjetër në mënyrë që kur të kemi këtë bashkëpunim synojmë integrim dhe avancim në atë ky synon të jetë Kosova në Evropë”, tha koordinatori për Gjeneratën e Re.
Tutje sipas Hasanit, ministritë e kanë filluar me kampanjat për rininë të cilat do të vazhdojnë edhe gjatë vitit 2019 e tutje.