Hasani: SHBA-ja s’do ta imponojë zgjidhjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Prishtinë | 25 Dhj 2018 | 14:04 | Nga Ekonomia Online

Letrat e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për presidentët e Kosovës dhe të Serbisë janë inkurajim për arritjen e një marrëveshjeje në mes të palëve, por jo që ajo domosdo të jetë copëtimi i Kosovës ose ngjashëm, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, profesori i të Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Ai nuk e përjashton mundësinë që ideja për ndryshim të kufijve të jetë në tavolinën e bisedimeve, por sipas tij, është gabim që të rihapet çështja e kufijve, përgjithësisht në Ballkan.

Radio Evropa e Lirë: Profesor Hasani, dialogu i Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë tash për tash duket se ka ngecur. A prisni rifillimin e këtij dialogu, për të cilin thuhet se do të jetë në fazën përfundimtare dhe a ka shenja se kur mund të fillojë?

Enver Hasani: Unë nuk e kam të qartë se kur mund të rifillojë, meqenëse ajo varet kryesisht nga dinamikat e brendshme në Kosovë, por edhe në Serbi, të cilat, veçanërisht në Kosovë, shihet që kanë marrë një kahe, që nuk është bash e kënaqshme, meqenëse shihet qartë se nuk ka një pajtim as të përafërt të konsensusit mes forcave politike, sa i përket formës dhe përmbajtjes së dialogut.

Radio Evropa e Lirë: A prisni që të ketë një përafrim qëndrimesh të spektrit politik?

Enver Hasani: Unë nuk pres, meqenëse çështja kryesore që është nisur, është nisur gabim dhe është futur copëtimi i Kosovës si variant, i ashtuquajtur i dhimbshëm, përkatësisht si levë ndikimi ndaj Serbisë për të fituar disa koncesione sa i përket shtetësisë së Kosovës. Ky fakt ka bërë që partitë që përfaqësojnë pjesën dërmuese të popullsisë së Kosovës, të kenë rezerva serioze. Kjo do të thotë është nisur mbrapsht, sa i përket mënyrës dhe përmbajtjes të konsensusit që pritet të arrihet dhe kjo ka shkaktuar frikë edhe te forcat kryesore politike, por edhe te qytetarët e zakonshëm.

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk e ka thënë se mund të ketë copëtim të Kosovës, por e ka potencuar korrigjim të kufirit…

Enver Hasani: Mund të quhet si të doni, por esenca e asaj çfarë është parë deri sot dhe sjelljet e palës serbe, del që flitet për copëtim. Në praktikën ndërkombëtare, me korrigjim të kufijve nënkuptohet kur është deri në 500 metra që të lëvizë vija kufitare, qoftë brenda, qoftë jashtë. Këtu nuk flitet për 500 metra.
Radio Evropa e Lirë: Profesor Hasani, si i vlerësoni letrat e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump për të dy presidentët, të Kosovës dhe Serbisë?

Enver Hasani: Ajo është inkurajim për arritjen e një marrëveshjeje në mes të palëve, por që nuk thotë atë që e thonë akterët kosovarë që duhet domosdo të jetë copëtimi i Kosovës dhe ngjashëm. Do të thotë inkurajim për të gjetur një zgjidhje dhe është shenjë e mirë, sepse sigurisht Kosova ka një problem të hapur me Serbinë, të cilin duhet ta adresojmë dhe janë naivë ata që besojnë që anëtarësimi eventual dhe konsolidimi i plotë i shtetësisë, hipotetikisht dhe teorikisht, shembull në OKB – sepse këta po e marrin OKB-në si parametër, që Serbia do ta lë Kosovën rehat dhe do të sillet si një shtet fqinj. Do të ishte naive dhe është naive për ata që e besojnë një gjë të tillë.

Radio Evropa e Lirë: A prisni përfshirje më të madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikë në procesin e dialogut?

Enver Hasani: Të ju them një fakt, edhe çështja e integrimeve evropiane në vitin që vjen, por edhe çështja e involvimit amerikan këtu në rajon – jo vetëm në Kosovë- dhe në Lindjen e Mesme është e një natyre tjetër prej asaj që kemi parë deri më sot. Ajo natyrë është që akterëve lokalë iu lihen punët kryesore që t’i kryejnë, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian pritet të luajnë një rol lehtësues, ndërmjetësues dhe garantues të asaj arrihet në mes të palëve me vullnet dhe jo sikur dikur që është imponuar një marrëveshje – jo vetëm e Dejtonit, por edhe e Rambujesë dhe të gjitha ato që kanë qenë në rajon. Do të ishte paradoks që të ndodhë, që të pritet të ketë ndonjë formë presioni, në kuptim të imponimit të një zgjedhjeje të caktuar, sepse do të ishte një investim i madh, një çmim i madh për çka unë dyshoj. Tek e fundit, Kosova dhe kjo pjesë e Ballkanit, me zgjidhjen e problemit të Maqedonisë (çështja e emrit) dhe rrugës së saj drejt NATO-s, Rusisë nuk i ka ngelur vend për t’i shqetësuar interesat amerikane dhe interesat e tjera perëndimore në këtë pjesë të botës.

Radio Evropa e Lirë: Ideja që ka krijuar mjaft debate është pikërisht ajo që u përmend më herët, ndryshimi i kufirit Kosovë-Serbi. Kjo ide përveçse në Kosovë dhe në Serbi, ka krijuar polemika edhe në qarqet ndërkombëtare, ndërmjet atyre që e përkrahin dhe e kundërshtojnë këtë ide si zgjidhje të mundshme të problemit. Sa është e mundur që kjo ide të jetë në tavolinën e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Enver Hasani: Kur të ulesh në biseda, mundësitë për të diskutuar për çdo çështje, përfshirë edhe këtë ide, është reale, është potenciale. Por, unë mendoj që është gabim të rihapet çështja e kufijve, përgjithësisht në Ballkan, sepse ajo nuk mund të bëhet pa caktuar harta të reja dhe në momentin që të nxirren harta të reja, nuk mund të bëhet pa dhunë dhe tragjedi njerëzore. Mund të jenë edhe të shkallës më të vogël se që i kemi parë, por sigurisht që shkakton dhunë dhe humb ai “shpirti Dejtonian” që unë e quaj, që është bazuar në vlera të demokracisë kushtetuese, të barazisë së popujve, lirive dhe të drejtave njerëzore dhe kështu me radhë dhe do të thotë, marrëdhëniet Kosovës- Serbi kthehen si marrëdhënie kryekëput të sigurisë së rëndë dhe kjo nuk i bën mirë proceseve politike në rajon.

Radio Evropa e Lirë: Në Kosovë nuk është arritur një konsensus i spektrit politik për dialogun. Në çfarë pozicioni dialogues mund ta vë Kosovën mungesa e këtij konsensusi dhe a prisni probleme?

Enver Hasani: Unë pres probleme dhe unë e kam të pamundur të besoj që dikush mund të futet në dialog rreth këtyre çështjeve pa pasur bekimin e dy të tretave të forcave politike që sot janë dhe përfaqësohen në Kuvend. Unë besoj që do të ishte aventurë e dikujt dhe nuk ma merr mendja që mundet – sepse po të ishte ndryshe, kjo punë do të ishte nisur më herët, do të ishte nisur kaherë – por unë besoj se arsyeja kryesore është ajo edhe unë nuk shoh rrugë tjetër, përveç arritjes së konsensusit. Pozicioni i Kosovës, çfarë është sot nuk është as i mirë, as i keq. Thjeshtë nuk ka pozicion, sepse nuk ka konsensus. Nuk mundet askush të flasë, të bëjë pazare për diçka që nuk ka mandat kushtetues dhe politik, nuk ka as legalitet e as legjitimitet. Kështu që, do të thotë pozicioni i Kosovës është pozicion inekzistent, sepse nuk ka një pozicion të Kosovës, për shkak se nuk ka një konsensus substancial prej dy të tretave dhe kjo e bën që çdo gjë që është zhvilluar deri më sot jolegale dhe jolegjitime.

Radio Evropa e Lirë: Nëse eventualisht arrihet një marrëveshje dhe marrë parasysh që në ekipin negociues të Kosovës nuk janë partitë e mëdha opozitare, a mund të nxjerrë kjo problem më pas për ratifikimin e marrëveshjes?

Enver Hasani: Po nuk mundet, sepse këta nuk janë mandatuar nga Kuvendi që ta nënshkruajnë dhe ta bëjnë (marrëveshjen), sepse nuk mund ta bëjnë këta. Për nënshkrim duhet mandat i veçantë i Kuvendit, për lidhjen e marrëveshjeve për nenin 18.1 (të Kushtetutës). Këta janë mandatuar që të negociojnë, të bisedojnë me Serbinë rreth çështjeve që kanë të bëjnë me ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit kushtetues dhe territorial të Kosovës. Kaq. Për nënshkrim të një marrëveshjeje, është çështje dhe vendim tjetër dhe jo vetëm për këtë grup, por edhe për çfarëdo subjekti tjetër që mund të autorizohet. Nuk mund të nënshkruhet asgjë, nuk mund të arrihet marrëveshja me këtë format të ekipit që është përcaktuar.

Enver Hasani: Nëse nënshkruhet (marrëveshja me Serbinë), atëherë do të thotë ajo është kundër Kushtetutës, jo vetëm të Kosovës, por të çdo vendi këtu në rajon. Çdo vend në rajon po ta bënte një gjë të tillë, një delegacion i tillë, do të ishte skandaloze.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme